Zjarr në “Folenë e Shqiponjës”, ish-rezidencën e Hitlerit në Gjermani, arrestohet një i dyshuar
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka bërë thirrje për një “revolucion ushtarak” dhe forcimin e mëtejshëm të ushtrisë së vendit, duke kërkuar që njësitë ushtarake të jenë më të përgatitura dhe të vetëmbështetura në operacionet luftarake.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, deklaratat u bënë gjatë një takimi dyditor me komandantët e kompanive të ushtrisë, të zhvilluar në Phenian më 22 dhe 23 tetor.
Kim kërkoi që çdo kompani ushtarake të shndërrohet në një njësi elitare, të aftë për të përmbushur detyrat luftarake me efikasitet dhe pavarësi.
“Le të ndërtojmë ushtrinë më të fortë dhe të përshpejtojmë një revolucion ushtarak sipas mënyrës sonë”, deklaroi Kim, sipas KCNA-së.
Ai theksoi se çdo njësi duhet të jetë plotësisht e përgatitur për të kontribuar në realizimin e objektivave të forcimit ushtarak të vendit në epokën e re.
Takimi shënoi, sipas medias shtetërore, mbledhjen e parë në shkallë të gjerë të këtij lloji që nga Kongresi i Nëntë i Partisë së Punëtorëve të Koresë së Veriut, i mbajtur në shkurt.
Gjatë këtij kongresi, i cili përcakton drejtimin politik të vendit për pesë vitet e ardhshme, Kim Jong Un riafirmoi angazhimin për zhvillimin e armëve bërthamore dhe raketave, duke kërkuar njëkohësisht forcimin e kapaciteteve ushtarake konvencionale.
Deklaratat e fundit konfirmojnë rëndësinë që Pheniani i kushton modernizimit dhe gatishmërisë së forcave të armatosura.
Përmes thirrjes për një “revolucion ushtarak”, Kim synon të rrisë aftësitë luftarake të njësive në terren dhe të forcojë strukturën ushtarake të Koresë së Veriut, ndërsa vendi vijon të investojë në kapacitetet e tij konvencionale dhe strategjike.
Top Channel