Përfshihet nga flakët ish-rezidenca e Hitlerit në Gjermani, arrestohet një i dyshuar

24 Tetor 2026 | 08:04

Policia në landin jugor gjerman të Bavarisë ka ndaluar një të dyshuar pas rënies së zjarrit në rezidencën malore alpine të Adolf Hitlerit, Kehlsteinhaus, e njohur gjithashtu si “Foleja e Shqiponjës”.

Shërbimet e emergjencës në Traunstein morën një alarm për zjarrin në ndërtesë në orën 21:15 të së premtes sipas orës lokale, ndërsa zjarrfikësit, pasi mbërritën në vendngjarje, e gjetën atë të përfshirë nga flakët.

Terreni i vështirë po pengonte përpjekjet për shuarjen e zjarrit dhe flakët vazhdonin të përhapeshin edhe në orët e para të së shtunës, njoftoi policia. Rreth 200 efektivë të emergjencave ishin angazhuar në operacion. Nuk raportohet për persona të lënduar.

Diktatori nazist e përdorte këtë rezidencë, e cila ndodhet mbi qytetin e Berchtesgadenit, si një seli të përkohshme qeveritare dhe zhvillonte atje takime me komandantët për të planifikuar pushtimin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1941.

Ka nisur një hetim penal për të përcaktuar nëse i dyshuari ka lidhje me zjarrin. Hitleri e përdorte gjithashtu këtë zonë si sfond për filmat propagandistikë, ku paraqitej si një njeri që e donte natyrën dhe kafshët.

E përfunduar nga nazistët në vitin 1938, “Foleja e Shqiponjës” i shpëtoi shkatërrimit pas humbjes së tyre në vitin 1945.

Që atëherë, ajo është kthyer në një destinacion të njohur turistik dhe sot strehon një bujtinë malore.

Sipas faqes zyrtare të saj, ndërtesa shërben gjithashtu si “një kujtesë paralajmëruese për humnerat e diktaturës çnjerëzore naziste”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hitleri dhe pasuesit e tij ishin përgjegjës për vdekjen e dhjetëra milionë njerëzve, përfshirë vrasjen masive të hebrenjve në Evropë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rusia: Sulmi ukrainas la pa ujë dhe energji elektrike Krimenë

Një sulm ukrainas shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Krimenë e pushtuar të shtunën, ndërsa një valë sulmesh me dronë goditi...
14:19 | 24/10/2026

SHBA-ja i shpall Institutet kineze Konfuci kërcënim për sigurinë kombëtare

Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka shpallur si kërcënim të sigurisë kombëtare Institutet Konfuci, njoftoi shefi i mbrojtjes amerikane, Pete Hegseth. Këto janë qendra kulturore...
13:42 | 24/10/2026

Bill Gates paralajmëron për 20 vjet trazira nga inteligjenca artificiale: Do të ketë fitues dhe humbës, shoqëria s’është gati

Bill Gates paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund të shkaktojë dy dekada trazirash ekonomike dhe sociale, duke prishur vendet e punës dhe jetën edhe nëse teknologjia...
13:36 | 24/10/2026