Momente paniku janë regjistruar në një parking të mbushur me automjete në qytetin Billings, në shtetin Montana të SHBA-së, pasi një kamion që tërhiqte pajisje për përzierjen e asfaltit u përfshi nga flakët dhe më pas shpërtheu fuqishëm. Shpërthimi krijoi një top të madh zjarri që u ngrit në ajër, duke shkaktuar frikë te punonjësit dhe klientët e bizneseve përreth.

Ngjarja ndodhi më 15 tetor, rreth orës 13:00, në një kompleks tregtar në King Avenue West. Flakët u përhapën me shpejtësi në pajisjet e tërhequra nga kamioni, përpara se të ndodhte shpërthimi që shkaktoi dëme materiale edhe në një biznes pranë.

Pamjet e filmuara nga dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur automjeti përfshihet nga zjarri dhe më pas shpërthen. Forca e shpërthimit ishte aq e madhe sa hapi me vrull dyert prej xhami të biznesit Bullfrog Spas.


Një punonjës i këtij biznesi, Taylor Bromgard, tregoi për televizionin lokal KTVQ se fillimisht kishte vënë re atë që dukej si mjegull, por më pas kuptoi se bëhej fjalë për tym nga zjarri. Ai tentoi të regjistronte ngjarjen dhe mendoi të ndërhynte me një tub uji, por flakët u përhapën shumë shpejt.

Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar. Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Billings, në momentin e incidentit nuk ndodhej askush brenda kamionit apo pranë tij. Hetimet paraprake sugjerojnë se shpërthimi mund të ketë ardhur nga një bombol propani në pjesën e pasme të automjetit. Autoritetet e kanë cilësuar zjarrin si aksidental. Pamjet e shpërthimit janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: