Me vendime të njëpasnjëshme, Gjykata e Sarandës dhe ajo e Apelit kanë liruar mbi gjysmën e personave të arrestuar pas një operacioni anti-drogë të zhvilluar më 5 shtator të këtij viti në Sarandë e Ksamil.
Operacioni kishte synim shpërndarësit e lëndëve narkotike cannabis dhe kokainë, të cilët ishin hetuar me metoda proaktive për mbi një muaj, ndërsa gjatë ndërhyrjes policore u zbuluan edhe dy armë. Sipas dosjes hetimore, për identifikimin e shpërndarësve ndihmoi edhe një person, të cilin policia e kishte përdorur për të kryer blerje të simuluara.
“Për zbatimin e veprimeve simuluese për këtë operacion, organi i prokurorisë kishte autorizuar oficerin e policisë gjyqësore në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, me emrin e koduar “Tatuazhi”, si dhe shtetasin e koduar sipas marrëveshjeve përkatëse, datë 22.07.2026 dhe 13.08.2026, “Për blerje të simuluar”, me emrin “Tatuazhi”, thuhet në dosjen hetimore.
Por, mbi një muaj pas operacionit, ku u sekuestruan doza të vogla cannabis dhe kokainë, dy armë dhe një sasi e vogël të hollash, në qeli ndodhen vetëm 9 persona nga 20 të arrestuar fillimisht me urdhër Prokurorie. Andrea Babi, Bledar Kovaci, Elvis Demcaj, Nikolin Rakipi dhe Flatun Lalaj u lanë në “Arrest shtëpie” tre ditë pas operacionit. Më 15 tetor, Gjykata e Apelit la në “Arrest shtëpie” edhe Arlind Osmani, Redian Arizi, Xhuliano Mejdi, Nazif Refitaj dhe Korado Omeri, ndërsa më 21 tetor, Gjykata e Sarandës la në “Arrest shtëpie” Klerjan Popshinin.
Aktualisht, në qeli kanë mbetur vetëm Feliks Filja, Altin Arapi, Erjon Dido, Medi Myftaraj, Dhimitri Terolli, Fabjo Berhamaj, Vasil Kaci, Devis Saliaj dhe Shefqet Bezhani. Këtyre dy të fundit, gjatë operacionit, iu sekuestruan edhe armë zjarri.
Mes personave që kanë mbetur në burg, çuditërisht rezulton edhe Dhimitri Terolli, i cili njihet si përdorues i drogave shumë të forta dhe i ekzaminuar me një kompleks sëmundjesh. Gjithashtu, përdorues i njohur i drogës, i cili gjithashtu mbahet në burg, rezulton edhe Erjon Dido.
© SYRI.net
Terror për 2.500 euro shpërblim, çfarë thonë efektivët e policisë përballë kameras së Piranjave
Piranjat/ ‘Shkopinj, gaz lotsjellës dhe arrestime masive’, ish-policët: Forca u përdor në kundërshtim me ligjin
Denoncimi i fortë i të riut: U rrah barbarisht nga 5 efektivë. Një polic ngacmoi seksualisht një vajzë në furgon! TMERRI në Komisariat