Izraeli ka nisur një operacion të gjerë ushtarak në zonën e Hebronit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas një sulmi me armë zjarri ku humbën jetën dy ushtarë izraelitë dhe u plagosën tre të tjerë. Ushtria dhe shërbimi i inteligjencës Shin Bet njoftuan se aksioni synon goditjen e asaj që autoritetet izraelite e cilësojnë si infrastrukturë terroriste.
Forcat izraelite po kryejnë kontrolle të imtësishme për të gjetur dhe sekuestruar armë, për të identifikuar persona të dyshuar dhe për të shkatërruar objekte që, sipas tyre, përdoren nga grupet e armatosura. Në operacion janë angazhuar ushtria, shërbimet e inteligjencës, policia kufitare dhe administrata civile. Sipas autoriteteve, ndërhyrja do të përqendrohet në zonën nga ku vepruan sulmuesit dhe pritet të zgjasë disa ditë.
Sipas ushtrisë izraelite, dy palestinezët e dyshuar për sulmin u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit të së premtes pranë Hebronit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat e sigurisë kishin parandaluar një sulm të rëndë dhe urdhëroi vendosjen e masave të reja kufizuese në zonë. Ai kërkoi bllokimin e Hebronit dhe përgatitjen për mbylljen e të gjitha pikëkalimeve drejt Bregut Perëndimor.
Netanyahu paralajmëroi gjithashtu se ushtria do të hyjë në vendbanimin nga vijnë sulmuesit, do të evakuojë banorët dhe do të kontrollojë shtëpitë një nga një, me synimin për të shkatërruar atë që Izraeli e konsideron infrastrukturë terroriste.
Masat e njoftuara përfshijnë ngritjen e pikave të kontrollit në rrugë dhe kufizimin e lëvizjes në zonën e Hebronit dhe Halhulit. Sipas planit, banorët e zonës së prekur do të mund të largohen përmes tri daljeve të përcaktuara, pasi t’u nënshtrohen marrjes në pyetje.
Ndërkohë, ushtria izraelite bëri të ditur se po zhvillon operacione kundër terrorizmit edhe në dhjetëra lokacione të tjera në Bregun Perëndimor.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967. Në Bregun Perëndimor jetojnë rreth tre milionë palestinezë dhe afërsisht 700 mijë kolonë izraelitë.
Situata e sigurisë në këtë territor është përkeqësuar që pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe luftës që pasoi në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që prej asaj kohe, më shumë se 1.100 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor gjatë operacioneve ushtarake izraelite, përleshjeve të armatosura dhe sulmeve.
Operacioni në Hebron zhvillohet pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Izrael, ku çështjet e sigurisë dhe konflikti me palestinezët janë ndër temat kryesore të fushatës. Politikanë të krahut të djathtë po kërkojnë masa më të ashpra ndaj dhunës palestineze, ndërsa sulmet e kolonëve radikalë izraelitë ndaj palestinezëve vazhdojnë të ngrenë shqetësime.
עדכון חשוב ממני אליכם, עכשיו בחברון >> https://t.co/4Bo9UbMWwg
— Benjamin Netanyahu – בנימין נתניהו (@netanyahu) October 23, 2026


