Teksa sot do të mbahet protestë kombëtare, nga studentë, pedagogë dhe bizneset, kryeministri Edi Rama nuk është tërhequr nga ftesa për dialog.
Në pamjet e publikuara nga Rama, shihet se këtë herë kryeministri ka ndryshuar strategji, duke vendosur një tip sofre të madhe guri, ndërsa rreth e qark shilte. Kujtojmë se karriget, stolat prej guri që çdo ditë Rama ka vendosur para Kryeministrisë për studentët, që të ulen në dialog, këta të fundit i kanë refuzuar.
PROTESTA
Sakaq, pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik. Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës kombëtare të 24 tetorit, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët. Përmes një thirrjeje publike, sindikata fton anëtarët e saj, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen sot në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Në njoftim theksohet se pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit, por edhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
Ndërkohë, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që në orën 12:00 të dalin në mbështetje të protestës së studentëve.
Në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë. Mobilizimi për protestën kombëtare po zhvillohet edhe jashtë Tiranës. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë protestuar në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre, pritet të udhëtojnë nesër drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit. Grupet studentore të Tiranës janë në komunikim me studentët e qyteteve të tjera për të koordinuar pjesëmarrjen në protestën përpara Kryeministrisë.
