“Paguajnë dy herë për dhëmbët” – Rajmonda Halili tregon gabimin që u kushton pacientëve

Pacientët që investojnë në trajtime dentare jo gjithmonë mbeten të kënaqur me rezultatet, ndërsa në disa raste detyrohen të shpenzojnë përsëri për të korrigjuar punimet e mëparshme.
Për këtë problem ka folur specialistja e protetikës stomatologjike, Rajmonda Halili, në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit "Kubati".
Halili ka treguar se përmes rrjeteve sociale pranon shpesh mesazhe nga pacientë që kanë realizuar ndërhyrje dentare dhe kërkojnë një mendim profesional për cilësinë e punimeve.
Sipas saj, pacientët shpesh kanë paqartësi nëse trajtimi që kanë kryer është realizuar siç duhet dhe çfarë hapash duhet të ndërmarrin kur përballen me probleme.
“Më shkruajnë pacientët se i kanë bërë diku punimet, a është në rregull, çka mund të bëjmë. Nuk hezitoj t'ua kthej përgjigjet ose t'i informoj se cilin hap duhet ta ndjekin”, ka deklaruar Halili.
Ajo ka theksuar se një nga situatat më shqetësuese është kur pacientët, pasi kanë shpenzuar për trajtime stomatologjike, detyrohen të bëjnë investime të reja për të korrigjuar rezultatet e mëparshme.
“Vjen keq kur ata kanë investuar diku tjetër dhe prapë duhet ta bëjnë të njëjtin investim për ta korrektuar”, është shprehur doktoresha.
Halili ka vënë në pah rëndësinë e informimit të pacientëve dhe të këshillimit profesional përpara marrjes së vendimeve për ndërhyrje dentare.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
- YouTube www.youtube.com







































