Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur idenë e riemërtimit të Ngushticës së Hormuzit me emrin e tij, duke deklaruar gjatë një takimi publik në Florida se do ta quajë atë “Ngushtica e Trump”. Më pas, ai propozoi edhe ndryshimin e emrit të Oqeanit Atlantik në “Oqeani Amerikan”, por shtoi se po bënte shaka.
“Do ta riemërtoj Ngushticën e Trump”, deklaroi presidenti amerikan gjatë një takimi me publikun në Florida më 23 tetor.
Trump përmendi gjithashtu mundësinë që Oqeani Atlantik të quhet “American Ocean” (Oqeani Amerikan), përpara se të sqaronte se deklaratat e tij ishin bërë me shaka. “Po bëj vetëm shaka, por nesër The New York Times do ta hapë gazetën me këtë lajm”, u shpreh ai.
Nuk është hera e parë që presidenti amerikan ngre ide për ndryshimin e emrave gjeografikë. Ai e kishte përmendur më herët mundësinë e riemërtimit të Ngushticës së Hormuzit edhe në platformën e tij Truth Social, si dhe gjatë takimeve publike në Xhorxhia dhe Teksas.
Gjatë mandatit të tij, Trump ka mbështetur edhe ndryshimin e emrit të Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës”, emërtim që përdoret nga institucionet federale amerikane. Ai ka ndërmarrë gjithashtu nisma për ndryshimin e emrave të vendeve të tjera, në kuadër të një qasjeje që ka shkaktuar diskutime edhe jashtë SHBA-ve.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike për transportin global të naftës dhe gazit, duke lidhur Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe më tej me Oqeanin Indian. Çdo zhvillim që lidhet me këtë korridor detar ka rëndësi për tregjet energjetike dhe sigurinë ndërkombëtare.


