
Dhoma e Avokatisë Sarandë ka reaguar ndaj publikimit nga kryeministri Edi Rama të fotografive të personave, përfshirë studentë, të shoqëruara me pretendime për përfshirjen e tyre në vepra penale.
Në një deklaratë të firmosur nga kryetari i saj, avokati Rigels Dervishi, Dhoma shprehet se kjo praktikë rrezikon të cenojë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin, jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas Dhomës së Avokatisë, ekspozimi publik i individëve duke i lidhur fotografitë e tyre me akuza penale bie ndesh me frymën e legjislacionit vendas dhe standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të afirmuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Në reagim theksohet se edhe dënimi me vendim të formës së prerë nuk e justifikon çdo formë ekspozimi dhe stigmatizimi publik, pasi sistemi juridik njeh rehabilitimin dhe riintegrimin shoqëror të personave të dënuar.
Dhoma e Avokatisë Sarandë e krahason këtë praktikë me “fletërrufetë” e së kaluarës, përmes të cilave, sipas saj, individët ekspozoheshin dhe stigmatizoheshin publikisht.
“Shfaqje të tilla të kujtojnë praktikën famëkeqe të ‘fletërrufeve’, përmes të cilave paraardhësit politikë të Kryeministrit ekspozonin dhe stigmatizonin individë, përfshirë të rinj. Rikthimi i kësaj fryme është i papranueshëm në një shoqëri demokratike”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, Dhoma kërkon ndërprerjen e kësaj praktike dhe respektimin e të drejtave themelore të çdo individi. Ajo i kujton kryeministrit përgjegjësinë institucionale për garantimin e këtyre të drejtave dhe i kërkon të shmangë përdorimin e autoritetit publik për etiketimin dhe denigrimin e qytetarëve.