Protestat në Shqipëri dhe veprimet e policisë gjatë tubimeve janë adresuar nga 12 eurodeputetë ndaj Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas. Shumica e firmëtarëve janë nga grupimi i Partisë Popullore Europiane (PPE); nismën e ka marrë kreu i delegacionit austriak të PPE-së, Reinhold Lopatka, ndërsa ndër firmëtarët përfshihet edhe Fredi Beleri. Shumica janë anëtarë të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.
Në qendër të pyetjeve janë pretendimet për përdorim joproporcional të forcës nga policia gjatë protestave, respektimi i të drejtave të personave të ndaluar — veçanërisht i të miturve — dhe masat për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme. Eurodeputetët referohen në raportime sipas të cilave përdorimi i plumbave të gomës ka shkaktuar plagosje të protestuesve dhe gazetarëve, dhe përmendin hetimin e Avokatit të Popullit mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e forcës së përdorur.
Në letrën drejtuar Kallas theksohet se Deklarata e Komisionit Europian të 18 tetorit dënoi dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet, por sipas firmëtarëve nuk trajtoi mjaftueshëm çështjen e llogaridhënies. Ata argumentojnë se respektimi i të drejtave themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara duhet të jenë pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Eurodeputetët kërkojnë që Përfaqësuesja e Lartë, përmes Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), t’i ngrijë këto shqetësime me autoritetet shqiptare dhe të ndërmarrë hapa konkretë. Një prej kërkesave është zhvillimi i hetimeve të pavarura, të paanshme dhe efektive për përdorimin e forcës, pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e pretenduara të të drejtave të personave të ndaluar. Kërkohet gjithashtu shqyrtimi i përgjegjësisë së drejtuesve të operacioneve policore, publikimi i rezultateve të hetimeve dhe marrja e masave gjyqësore ose disiplinore kur është e nevojshme.
Sa i përket personave të ndaluar dhe të miturve, kërkohen garanci për respektimin e të gjitha të drejtave sipas legjislacionit shqiptar dhe standardeve ndërkombëtare, duke përfshirë bashkëpunimin me Avokatin e Popullit dhe monitorimin e pavarur. Eurodeputetët lidhin çështjen edhe me negociatat e Shqipërisë për anëtarësim dhe kërkojnë që obligimet në kuadër të Grupkapitullit 1, “Themeloret”, të ndiqen konkretisht, përfshirë përcaktimin e angazhimeve të matshme për adresimin e problematikave dhe parandalimin e shkeljeve.
