Inteligjenca amerikane: Irani, plane për sulme kundër diplomatëve dhe zyrtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme

Botë | 29 minuta më parë

Inteligjenca e Shteteve të Bashkuara ka paralajmëruar se Irani ka rritur ndjeshëm përpjekjet për të goditur diplomatët dhe zyrtarët amerikanë në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Ky paralajmërim ka dalë nga një memo e datës 23 tetor që Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, i dërgoi Sekretarit të Shtetit Marco Rubio (me kopje për Drejtorin e CIA-s John Ratcliffe), dokument që u zbulua nga Axios.⁠

Memoja, e cila është e paklasifikuar dhe një faqëshe, thekson se agjencitë amerikane kanë marrë informacione përmes kanaleve të shumta që tregojnë intensifikimin e përpjekjeve iraniane për të sulmuar personelin amerikan.

“Përpjekjet vdekjeprurëse të iranianëve kundër qytetarëve amerikanë kanë arritur faza të avancuara si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në disa vende të tjera”, shkruan Clayton.

Dokumenti nuk përmend objektiva specifike, metoda sulmesh apo vende të sakta jashtë rajonit, por thekson se informacioni duhet të shpërndahet te një rreth më i gjerë personeli se sa aktualisht ka autorizim për ta marrë. Clayton ofroi të ulë klasifikimin e sa më shumë informacioneve të ndjeshme që Rubio të mund t’i ndajë me stafin e Departamentit të Shtetit që mund të jetë në rrezik.⁠

Më herët këtë javë (të mërkurën), Departamenti i Shtetit urdhëroi largimin e anëtarëve të familjeve dhe personelit jo-thelbësor nga ambasada amerikane në Rijad dhe konsullatat në Xhedah dhe Dhahran në Arabinë Saudite, raporton ‘The Financial Times’

Të premten, SHBA vendosën të zvogëlojnë numrin e personelit në ambasadat në Emiratet e Bashkuara Arabe, Liban, Jordani dhe Katar. Ambasadat do të mbeten të hapura, por operojnë me staf të kufizuar nën statusin e “operacioneve të kufizuara”.

Ndryshe nga Arabia Saudite, ku largimi ishte i detyrueshëm, në vendet e tjera stafi nuk është i detyruar të largohet.⁠

Zyrtarët amerikanë lidhin këto masa me kërcënimet e shtuara nga Irani dhe nga lëvizja Houthi në Jemen, e cila mbështetet nga Teherani dhe është e angazhuar në luftë kundër koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.

Inteligjenca amerikane thekson se niveli i kërcënimit kundër amerikanëve në Lindjen e Mesme dhe disa vende të tjera është më i larti që nga fillimi i konfliktit më të gjerë në shkurt.⁠

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme