Nga Boldnews.al
Në kulmin e protestave të dhunshme, ku qeveria ka marrë hua nga Turqia 7 makina ujëhedhëse, kamionë me gaz lotsjellës dhe plumba gome, kryeministri bën thirrje për dialog, por dukshëm ka hasur në një monolog kërcënues tërësisht dalëboje, aq sa as të tijët s’po ia venë veshin. Në tentativë për të gjetur shtigje daljeje, Rama po sulmon, duke shpërblyer “hunjtë” në polici që të shqepin në dru gjimnazistë dhe studentë.
Treguesit janë të errët sterr. Kryeministri nuk tërhiqet, pasi dukshëm deri më tani ka vendosur të tërheqë këmbëzën e shotganëve që qisin plumba gome të shoqëruara me koktejlin e preferuar ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Me këtë agoni shpreson të shuajë revoltën, flamurin e së cilës e kanë marrë kryesisht adoleshentë dhe të rinj. Një shpresë e humbur që në nisje, pasi Rama mund të zgjedhë vetëm dy rrugë. E para është dorëheqja.
Pas 13 vitesh pushtet kryeministri ka humbur çdo kredo morale për të qeverisur qoftë edhe një ditë më shumë.
Në minutat e “kthjelltësisë”, edhe vetë e kupton se dorëheqja është rruga e parë e cila kërkon ca moral, por kur thërret “moralin” ai nuk ia kthen, sepse nuk e ka diçka të tillë. Nisur nga historiku i mëparshëm psiko-politik, kryeministrin nuk e lë “vetja” të japë dorëheqjen, e ndikuar nga zëra të brendshëm që i “thonë” se ai është misionar…
Rruga e dytë, fatkeqësisht më e mundëshmja, është që Rama të hiqet me “tërheqje” të karriges zvarrë, por pa të ulur. Ky do ishte varianti më i keq për vendin. Protestat do vijonin gjatë dhe me pasoja, ndërsa Rama me siguri në fund do merrte një avion çarter diku me biletën vetëm vajtje, por duke lënë pas tokë të djegur dhe me rrezikun serioz të humbjes së jetëve qytetare.
Paradoksalisht këta janë dy rrugët e vetme që Rama, krimi dhe oligarkia kanë shtruar në 13 vite. I vetmi që duhet të shkelë nga rruga e dorëheqjes, ose heqjes është vetëm Rama, por pikëpyetja pa përgjigje është se me çfarë kostoje.













