
Shtatë persona kanë humbur jetën dhe 34 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në kishën Hammoud, në provincën Karak, në jug të Jordanisë. Ngjarja ndodhi të premten, gjatë një ceremonie mortore, bëri të ditur drejtori i Sigurisë Publike të Jordanisë, Obaidallah Maaytah.
Sipas DW, 27 prej të plagosurve po marrin trajtim në spital. Rrethanat e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa identiteti dhe motivet e autorëve nuk janë bërë publike. Sipas raportimeve, dy persona hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve në ceremoninë mortore.
Një dëshmitar i tha medias shtetërore jordaneze se në kishë ndodheshin rreth 150 deri në 200 persona në momentin e sulmit. Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Mazen Al-Faraya, deklaroi se masakrën e kishte kryer një grup “ekstremistësh”. Sipas medias jordaneze Roya News, ministri tha se autoritetet kanë identifikuar të dyshuarit, por nuk do t’i bëjnë ende publikë emrat e tyre.
Zëdhënësi i qeverisë, Mohammad al-Momani, njoftoi se forcat e sigurisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, dënoi sulmin, duke deklaruar se “sulmi terrorist kundër Karakut do të përballet me kundërpërgjigjen më të ashpër”.
“Ata që mashtrojnë veten duke menduar se mund t’i përçajnë jordanezët me plumbat e tyre, nuk kanë asnjë shans përballë unitetit tonë”, u shpreh ai, duke shtuar se vendi do të godasë “me grusht të hekurt” këdo që guxon të kërcënojë kombin.
Më vonë, Oborri Mbretëror publikoi pamje dhe fotografi të mbretit gjatë vizitës në spitalin ku po trajtohen të plagosurit.
Sulmi u dënua edhe nga presidenti i Libanit, Joseph Aoun, i cili shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre. Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, e cilësoi lajmin si tronditës, ndërsa bëri thirrje që sulmet ndaj të krishterëve në mbarë botën të ndalen.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, e cilësoi veçanërisht të rëndë sulmin ndaj një vendi adhurimi gjatë një ceremonie mortore.
Sulmet me armë zjarri të këtij lloji janë të rralla në Jordani. Vendi ka një popullsi prej rreth 11.5 milionë banorësh, shumica myslimane, ndërsa komuniteti i krishterë përbën një pakicë prej disa qindra mijëra personash. Rajoni i Karakut, rreth 180 kilometra në jug të Amanit, ka një komunitet të konsiderueshëm të krishterë.