Ylli brazilian i futbollit, Neymar, ka shprehur publikisht mbështetjen për kandidatin presidencial Flávio Bolsonaro, vetëm dy ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve në Brazil, ku ai përballet me presidentin aktual Luiz Inácio Lula da Silva.
Sulmuesi i Santos e bëri të qartë qëndrimin e tij përmes një videoje të publikuar në Instagram, ku shfaqet së bashku me deputetin Nikolas Ferreira, një nga mbështetësit e njohur të familjes Bolsonaro.
Në video, Ferreira e pyet futbollistin se çfarë numri fanele mbante gjatë periudhës së tij te Barcelona. Pasi Neymar përgjigjet “11”, deputeti e pyet: “11 plus 11, sa bëjnë?”. “22”, përgjigjet lojtari me buzëqeshje, duke iu referuar numrit që votuesit duhet të zgjedhin në fletën elektronike të votimit për të mbështetur Flávio Bolsonaron.
“Ne nuk po flasim për politikë, vetëm për futboll”, shprehet me ironi Ferreira, ndërsa videoja përcjell një mesazh të qartë në mbështetje të kandidatit konservator.
Kjo nuk është hera e parë që Neymar pozicionohet në krah të familjes Bolsonaro. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, ai mbështeti publikisht Jair Bolsonaron, babanë e Flávios, duke deklaruar se ndante vlera të ngjashme me të.
Jair Bolsonaro humbi atë garë përballë Lulës dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak, në kuadër të çështjes që lidhet me përpjekjen për grusht shteti.
Videoja e fundit ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të audiencës së madhe që dy protagonistët kanë në rrjetet sociale. Nikolas Ferreira ndiqet nga rreth 25 milionë persona në Instagram, ndërsa Neymar ka afërsisht 241 milionë ndjekës.
Balotazhi presidencial në Brazil zhvillohet të dielën, më 25 tetor, dhe përballë njëri-tjetrit janë Flávio Bolsonaro dhe presidenti aktual, Luiz Inácio Lula da Silva.


