Inteligjenca e Shteteve të Bashkuara paralajmëroi se Irani ka “rritur ndjeshëm” përpjekjet për të synuar diplomatët dhe zyrtarët amerikanë në Lindjen e Mesme e më gjerë, me planet vdekjeprurëse që kanë arritur “faza të avancuara”.
Një memo e paklasifikuar dhe një faqëshe, thekson se agjencitë amerikane kanë marrë informacione përmes kanaleve të shumta që tregojnë intensifikimin e përpjekjeve iraniane për të sulmuar personelin amerikan.
Përpjekjet vdekjeprurëse të iranianëve kundër qytetarëve amerikanë kanë arritur faza të avancuara si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në disa vende të tjera.
Dokumenti nuk përmend objektiva specifike, metoda sulmesh apo vende të sakta jashtë rajonit, por thekson se informacioni duhet të shpërndahet te një rreth më i gjerë personeli se sa aktualisht ka autorizim për ta marrë.
Më herët këtë javë (të mërkurën), Departamenti i Shtetit urdhëroi largimin e anëtarëve të familjeve dhe personelit jo-thelbësor nga ambasada amerikane në Riad dhe konsullatat në Xhedah e Dhahran në Arabinë Saudite.
Dje, SHBA-të vendosën të zvogëlonin numrin e personelit në ambasadat në Emiratet e Bashkuara Arabe, Liban, Jordani dhe Katar.
Ambasadat mbeten të hapura, por operojnë me staf të kufizuar nën statusin e “operacioneve të kufizuara”.
Ndryshe nga Arabia Saudite, ku largimi ishte i detyrueshëm, në vendet e tjera stafi nuk është i detyruar të largohet.
Zyrtarët amerikanë i lidhin këto masa me kërcënimet e shtuara nga Irani dhe nga lëvizja Houthi në Jemen, e cila mbështetet nga Teherani dhe është e angazhuar në luftë kundër koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Inteligjenca amerikane thekson se niveli i kërcënimit kundër amerikanëve në Lindjen e Mesme dhe disa vende të tjera është më i larti që nga fillimi i konfliktit më të gjerë në shkurt.