Furtuna në administratë, po “Gjeli i Peqinit” a do të largohet?
Kryeinspektori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Dashnor Sula, ka komentuar valën e dorëheqjeve të kërkuara nga kryeministri Edi Rama për mbi 130 drejtues të administratës publike, duke folur edhe për situatën e krijuar nga protestat e ditëve të fundit.
Në një intervistë në emisionin “Breaking”, Sula u pyet drejtpërdrejt nëse do të pranonte të largohej nga detyra në rast se do t’i kërkohej dorëheqja.
Ai nuk dha një përgjigje të prerë po ose jo, por foli për punën e tij gjatë shtatë muajve në krye të institucionit, problematikat e trashëguara dhe mbështetjen që, sipas tij, ka marrë nga kryeministri.
“Kam ndërhyrje nga të djathtët dhe të majtët”
Gjatë intervistës, Sula u ndal te integriteti i tij personal dhe presionet që pretendon se përballet në ushtrimin e detyrës. Ai deklaroi se nuk mund të korruptohet për çështje që lidhen me emërimet apo masat disiplinore brenda institucionit.
“Integriteti im moral si drejtues i institucionit, e them personalisht drejtpërdrejt shikuesit, që nuk ka shans që një biznesmen apo një person të më korruptojë mua për emërime, masa disiplinore etj. Kam ndërhyrje edhe nga të djathtët e të majtët”, u shpreh Sula.
Kryeinspektori theksoi gjithashtu se ka pasur mbështetje nga kreu i qeverisë gjatë ushtrimit të funksionit të tij.
Deklarata vjen në një moment kur administrata publike është përfshirë në procesin e dorëzimit të dorëheqjeve, pas kërkesës së Ramës për drejtuesit e institucioneve në varësi të ministrive. Megjithatë, nga përgjigjja e Sulës nuk rezulton një konfirmim nëse ai do ta paraqiste dorëheqjen në rast se do të përfshihej në këtë proces.
“Kam shtatë muaj në detyrë”, Sula flet për problematikat e institucionit
Duke shpjeguar punën e tij në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, Sula tha se është emëruar rreth shtatë muaj më parë dhe se detyra është ndër më të vështirat.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar problematika të shumta, por ai pretendon se, me ndihmën e stafit dhe mbështetjen e kryeministrit, janë shënuar rezultate konkrete.
Sula përmendi përmirësimin e sistemit të inspektimit, përgatitjet për pajisjen e inspektorëve me kamera inteligjente të vendosura në trup, si dhe zhvillimin e procedurave të inspektimit online në pikat doganore.
Megjithatë, ai pranoi se mbeten ende probleme brenda institucionit, i cili ka rreth 2100 inspektorë.
“A e kemi arritur gjithçka? Jo. A ka problematika brenda institucionit tim, që janë 2100 inspektorë? Pa diskutim që ka shumë probleme”, deklaroi ai.
Sula për protestat: Nuk është normale të lëndohen protestuesit apo policët
Në intervistë, kryeinspektori shprehu gjithashtu keqardhjen për situatën e krijuar në vend dhe për incidentet gjatë protestave, ku janë raportuar të lënduar si nga radhët e protestuesve, ashtu edhe nga policia.
“Si qytetar, si prind dhe si nëpunës i shtetit, shpreh keqardhjen për të gjithë situatën që ndodhet vendi ynë, duke pasur parasysh dhe lëndimet dhe problematikat gjatë protestave. Nuk është normale që të lëndohen protestuesit apo të lëndohen policët që janë në krye të detyrës”, u shpreh Sula.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e drejtuesve të administratës ka hapur diskutime mbi vazhdimësinë e tyre në detyrë dhe procesin e vlerësimit të performancës.
Për momentin, Sula ka bërë publike pikëpamjet e tij mbi punën dhe integritetin në drejtimin e institucionit, por nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare nëse do të largohej në rast se do t’i kërkohej dorëheqja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



