
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka bërë thirrje kubanëve që kërkojnë ndryshime politike në vendin e tyre të krijojnë një “partneritet diskret” me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Thirrja u bë përmes një postimi në rrjetet sociale, në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump po shton presionin ndaj qeverisë kubane.
“Për ata që kërkojnë të krijojnë ndryshime pozitive në Kubë, tani është koha”, shkroi Rubio, duke iu referuar pakënaqësisë ndaj premtimeve të pambajtura, korrupsionit dhe privilegjeve që, sipas tij, gëzon një pakicë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të sjellë ndryshimin që dëshirojnë, përmes një bashkëpunimi me CIA-n, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën apo qëllimin konkret të këtij bashkëpunimi, përcjell Euronews.
Deklarata vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes Uashingtonit dhe Havanës. Administrata Trump ka deklaruar vazhdimisht se synon ndryshimin e udhëheqjes në Kubë, ndërsa presidenti amerikan ka thënë se vendi është “gati të bjerë”.
Të premten, Trump deklaroi gjatë një tubimi në Florida se Shtetet e Bashkuara do të merren me Kubën pasi të përfundojnë angazhimin e tyre ndaj Iranit. Ai sugjeroi gjithashtu se Rubio mund të dërgohet për të përmbyllur një marrëveshje me Havanën, pa dhënë hollësi mbi përmbajtjen e saj.
Presioni ndaj Kubës është shtuar që prej fillimit të këtij viti, kur Uashingtoni vendosi masa që kufizojnë furnizimin me naftë të ishullit. Kjo ka rënduar më tej krizën ekonomike dhe energjetike, të shoqëruar nga mungesat e karburantit, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe vështirësitë ekonomike të popullsisë.
CIA ka publikuar gjithashtu udhëzime për personat që dëshirojnë t’i përcjellin informacion agjencisë. Sipas tyre, personat që kontaktojnë përmes internetit këshillohen të përdorin lidhje të sigurta dhe të shmangin pajisjet apo llogaritë që lidhen drejtpërdrejt me identitetin ose vendin e tyre të punës.
Marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara prej dekadash, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë në fuqi embargon ekonomike ndaj Kubës. Nga ana tjetër, autoritetet kubane kanë kundërshtuar presionin amerikan dhe kanë deklaruar se mbeten të hapura për dialog me Uashingtonin.