“€URAT” në Mitrovicë instalacioni i Fehmi Feratit vë në pah historinë 27-vjeçare të urës së Ibrit

Në Mitrovicë është hapur instalacioni artistik dhe politik “€URAT”, i autorit Fehmi Ferati, i vendosur në hollin e Qendrës së Kulturës, pranë urës së Ibrit.
Përmes këtij instalacioni, Ferati trajton historinë 27-vjeçare të urës së Ibrit, duke vënë në pah mbylljen e saj për qarkullim të rregullt dhe ndikimin që kjo çështje ka pasur ndër vite në jetën e qytetit.
Strukturën metalike të urës, autori e përshkruan si “relikt”, “arkitekturë monotone” dhe “gërmadhë moderne”.
Ideja e veprës lidhet me imazhet e urave në kartëmonedhat euro, të cilat simbolizojnë lidhjen dhe bashkimin mes popujve evropianë. Duke u bazuar në këtë simbolikë, Ferati ka dizajnuar edhe një kartëmonedhë imagjinare prej 27 eurosh, me imazhin e urës së Ibrit, si referencë ndaj 27 viteve histori dhe zhvillimeve që lidhen me të, si dhe 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Instalacioni përfshin tri tema kryesore: “Protestë artistike”, “Sqarim për të shpjeguar” dhe “Ekzorcizëm”.
Përmes temës “Protestë artistike”, autori shpreh qëndrimin e tij për gjendjen e urës dhe situatën që e rrethon atë.
Në pjesën “Sqarim për të shpjeguar”, Ferati kërkon përgjigje nga faktorët përgjegjës se pse ura vazhdon të mbetet e mbyllur, ndërkohë që ura të tjera mbi lumin Ibër përdoren për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Sipas konceptit të autorit, mungesa e një shpjegimi të qartë për qytetarët mbetet një nga çështjet që instalacioni synon ta vërë në diskutim.
Tema e tretë, “Ekzorcizëm”, paraqet një qasje ironike ndaj simbolikës së urave në kartëmonedhat euro. Përmes saj, autori shpreh idenë që bashkë me kartëmonedhat dhe urat e paraqitura në to të largohet nga historia edhe kartëmonedha imagjinare prej 27 eurosh, e lidhur me urën e Ibrit dhe gjendjen e saj.

Në instalacion përfshihen edhe referenca ndaj zhvillimeve të shumta që kanë shoqëruar urën e Ibrit ndër vite, përfshirë tensionet, protestat, bllokadat, praninë e forcave të sigurisë, ndërhyrjet infrastrukturore dhe deklaratat politike e ndërkombëtare.
Autori trajton gjithashtu rolin e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë UNMIK-un, KFOR-in, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë në pikëpyetje rëndësinë e vazhdueshme të ndërhyrjeve të tyre në raport me situatën aktuale në veri të Kosovës.
Një tjetër element i prezantuar nga Ferati është një anketë e thjeshtë e realizuar me qytetarë të Kosovës. Sipas autorit, vetëm 0,5 për qind e të anketuarve e dinin se në kartëmonedhat euro paraqiten ura.
Instalacioni “€URAT” do të jetë i hapur për vizitorët deri më 10 nëntor. /Telegrafi/










































