Në nëntor të vitit 2014, rreth një vit pasi mori pushtetin, kryeministri Edi Rama fliste për demokracinë dhe përgjegjësinë e një drejtuesi ndaj qytetarëve, duke deklaruar se nuk synonte të qëndronte sa më gjatë në karrigen e kryeministrit, nëse shqiptarët nuk do ta dëshironin më në atë detyrë.
Më shumë se një dekadë më vonë, teksa të rinjtë shqiptarë prej muajsh kërkojnë largimin e tij nga pushteti, Rama, në vend që të reflektojë për kërkesat e tyre, ka vijuar me deklarata kundër protestuesve.
“Në demokraci është e qartë se hyn për të ndenjur një periudhë kohë dhe do ikësh. Ka dy rrugë për të ikur: ose do konsumohesh nga pushteti dhe të thonë njerëzit ‘ik se na plase’, ose do ta konsumosh pushtetin”, deklaronte Rama.
Ai theksonte se nuk e shihte detyrën e kryeministrit si një mundësi për të zgjatur sa më shumë qëndrimin në pushtet.
“Unë nuk jam kryeministër i këtij vendi për të shtyrë qëndrimin sa më shumë në karrige dhe t’ua futur shqiptarëve pas shpine, duke u thënë sa mirë po ecim…”, pohonte ai.













