Protesta e studentëve në Tiranë shënon sot ditën e 12-të, ndërsa në kryeqytet pritet të zhvillohet protesta kombëtare e PD në mbështetje të tyre.
Krahas studentëve, solidaritet kanë shprehur pedagogët, artistët, punonjësit e medias, inxhinierët, arkitektët dhe përfaqësues të sindikatave.
Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias së Shqipërisë ka njoftuar se do të mblidhet në orën 11:00 përpara Kryeministrisë, për t’iu bashkuar më pas studentëve në protestën e paralajmëruar në orën 14:00 pranë Ministrisë së Arsimit.
Sindikata u ka bërë thirrje artistëve, punonjësve të kulturës dhe medias që të bëhen pjesë e tubimit, duke e cilësuar atë si një formë solidariteti me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
Thirrje për mbështetje kanë bërë edhe inxhinierët dhe arkitektët, të cilët pritet të bashkohen me studentët. Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar ka shprehur solidaritet me protestën.
Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë jo vetëm si profesionistë, por edhe si prindër dhe pjesëtarë të shoqërisë.
© SYRI.net