
Një edukatore është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një fëmijë 4-vjeçar në kopshtin ku ai qëndronte.
Ngjarja është zbuluar pas denoncimit të bërë nga nëna e të miturit, e cila iu drejtua policisë pasi vuri re se prej disa ditësh djali i saj nuk ishte në gjendje të mirë.
Sipas informacioneve paraprake, fëmija i kishte treguar nënës se ishte goditur nga edukatorja.
Pas kallëzimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kryen veprimet hetimore, përfshirë këqyrjen e pamjeve filmike. Në përfundim të verifikimeve, edukatorja u arrestua për veprën penale të “Keqtrajtimit të të miturve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.