Sot, në orën 12:00, Partia Demokratike ka thirrur mbështetësit e saj para Kryeministrisë, ndërsa në orën 14:00 studentët kanë njoftuar tubimin para Ministrisë së Arsimit e që me pas do të shkohet drejt kryeministrisë. PD e paraqet protestën e saj si mbështetje për lëvizjen studentore. Por mbështetja dhe përfaqësimi janë dy gjëra të ndryshme.
A mund të bashkëjetojnë këto dy protesta? Po, nëse respektohet pavarësia e studentëve. Por politikisht ka një kundërthënie të qartë: PD kërkon largimin e Ramës, ndërsa ajo pjesë e studentëve që kërkon burg për Ramën dhe Berishën kundërshton të dy drejtuesit e politikës shqiptare.
Të jesh kundër të njëjtit kryeministër nuk do të thotë se kërkon të njëjtën të ardhme. Për demokratët, ndryshimi mund të jetë rikthimi i PD-së në pushtet. Për studentët që kundërshtojnë edhe Berishën, ky rikthim nuk përmbush kërkesën për ndryshim.
Prova e sotme do të jetë pikërisht kjo: a do ta mbështesë PD zërin e studentëve edhe kur ai drejtohet kundër liderit të saj? Dhe a do ta ruajnë studentët drejtimin, kërkesat dhe identitetin e protestës së tyre?
Sheshi mund t’i mbajë të dyja protestat. Mbetet të shihet nëse politika do ta pranojë një protestë që kundërshton edhe atë vetë.
