“Kriminelë të maskuar si studentë”, Rama: Pas dhunës në protesta fshihen duar të huaja, po hetojmë intensivisht

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pak para protestës kombëtare të paralajmëruar, duke u ndalur te dhuna gjatë protestave dhe te personat e ndaluar e proceduar nga Policia e Shtetit.
Rama deklaroi se një listë e gjatë personash me precedentë kriminalë, të cilët sipas tij nuk kishin lidhje me statusin e studentit, kishin ushtruar dhunë dhe ishin ndaluar nga policia.
Ai i cilësoi këta persona si pjesë të një komponenti të dhunshëm të protestës, duke pretenduar se qëllimi i tyre ishte destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës së Shqipërisë. Kryeministri shtoi se pas tyre qëndrojnë krimi i organizuar dhe duar të huaja, për të cilat, sipas tij, po zhvillohen hetime intensive.
Edi Rama:
Dje unë ju informova për një listë të gjatë personash me precedentë kriminalë, të cilët, nën maskën e studentit, por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, ushtruan dhunë dhe janë ndaluar dhe proceduar nga Policia e Shtetit.
Një listë, domethënë, përfaqësuese e një komponenti të dhunshëm të protestës, që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim të qartë: destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë, duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën. Patjetër që pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar dhe duar të huaja, për të cilat po hetojmë intensivisht.
Reagimi i ekraneve të korruptuara më bën më shumë përshtypje, ndaj një liste që minimalisht duhet t’i bënte të gjithë të reflektonin. Relativizimi i mëtejshëm i dhunës në emër të studentëve dhe rinisë, që sipas këtyre ekraneve e VIP-ave të mbrëmjeve dhe të himnizimit të dhunës në këto ekrane, i përket një momenti transformues për Shqipërinë. Këtu nuk ka asnjë moment tjetër transformues përveç një sfide të hapur me problemet që kërkojnë zgjidhje, problemet e studentëve, të gjitha legjitime, dhe dhunës. Gjuhës së gurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës së ofendimeve e kërcënimeve, e cila nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse nuk duam një të nesërme të sigurt.
Ne jemi duke punuar intensivisht për të adresuar të dyja anët e kësaj medaljeje. Do ta bëj të qartë që jam shumë i vëmendshëm personalisht në raport me arsyet reale dhe shkaqet që bëjnë shumëkënd të simpatizojë një protestë dhe të ndiejë nevojën për të protestuar. Ai terror urban u shkaktua jo nga dhjetëra qytetarë, por nga një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar fetarisht, ideologjikisht, të radikalizuar qytetarisht, njerëz kriminelë të futur në turmë të maskuar si studentë, të futur në turmë për të ushtruar dhunë.
/vizionplus.tv




