Rama: Protestat e dhunshme synojnë destabilizimin e vendit, pas tyre fshihen duart e huaja

Politikë | 33 minuta më parë

Në një konference të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme Ervin Demo, kryeministri Edi Rama deklaroi se pas akteve të dhunës fshihet një axhendë e qartë për destabilizimin e Shqipërisë dhe devijimin e rrugës së saj drejt të ardhmes.

Rama u shpreh se ekziston “një listë domethënëse, përfaqësuese e një komponenti dhunues protestues që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim shumë të qartë: destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën.”

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja.

“Natyrisht që pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste e cila minimalisht duhet t’i bënte të gjithë të reflektonin mbi mosdistancimin nga dhuna”, u shpreh Rama.

Ai dënoi relativizimin e mëtejshëm të dhunës “gjithnjë në emër të studentëve, në emër të rinisë që sipas këtyre ekraneve dhe sipas sidomos vipave të mbrëmjeve të hyjnizimit të dhunës nëpër këto ekrane i përkasin një momenti transformues për Shqipërinë.”

Sipas kryeministrit, në këtë situatë nuk ka asnjë moment tjetër transformues, përveçse një sfidë të hapur me probleme të cilat kërkojnë adresim, ku përfshihen problemet e shoqërisë, familjeve të zakonshme, studentëve dhe rinisë. Por ai bëri një ndarje të prerë mes kërkesave legjitime dhe formave të dhunës, duke deklaruar se “gjuhës së gurit, gjuhës së hurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës së urrejtjes, gjuhës së ofendimeve dhe të kërcënimeve… nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse ne duam një të nesërme të sigurtë për këtë vend dhe për fëmijët tanë.”

Rama bëri me dije se qeveria po punon për të adresuar të dyja anët e medaljes, duke qenë shumë i vëmendshëm ndaj arsyet reale dhe shkaqeve që bëjnë qytetarët të simpatizojnë një protestë, pavarësisht faktit nëse votojnë apo jo për shumicën qeverisëse.

“Duhet të bëj të qartë që jemi shumë të vëmendshëm dhe jam shumë i vëmendshëm personalisht në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumëkënd, përtej faktit që votojnë apo s’votojnë për mua dhe për shumicën qeverisëse, të simpatizojnë një protestë dhe të ndjejnë nevojën për të protestuar, pavarësisht se janë të distancuar nga dhuna për sa kohë ajo protestë, ai terror urban u shkajtua jo nga dhjetëra mijëra, e qindra mijëra qytetarë, por nga një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar ideologjikisht, antifa, të radikalizuar fetarisht, njerëz të nxitur dhe të paguar për të yshtur ndasitë fetare“, deklaroi më tej kryeministri Rama.


/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme