Kryeministri Edi Rama ka akuzuar krimin e organizuar dhe atë që i cilësoi si “duar të huaja” për qëndrimin pas protestave të dhunshme në Shqipëri, duke pretenduar se synimi i tyre është destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës së tij drejt së ardhmes.
Në një komunikim për mediat këtë mëngjes, së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, kreu i qeverisë u ndal te protestat dhe situata e sigurisë, duke theksuar se Shqipëria po mban kontakte të vazhdueshme me Italinë dhe Francën, ku sipas tij janë shfaqur gjithashtu trazira.
“Qëllimi është shumë i qartë: destabilizim i vendit dhe devijim i rrugës sonë, duke na kthyer pas në të shkuarën. Natyrisht që pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar dhe duar të huaja”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli edhe për bashkëpunimin me dy vendet europiane, duke përmendur kontaktet e vazhdueshme dhe koordinimin lidhur me situatën. Ai e lidhi zhvillimin e protestave me atë që e cilësoi si “terrori urban i ANTIFA-s”, duke thënë se kjo dukuri është shfaqur në të tria vendet.
Rama pranoi se në vend ekzistojnë problematika që kërkojnë zgjidhje, por theksoi se, sipas tij, ato nuk justifikojnë dhunën dhe përshkallëzimin e protestave.
“Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste që të gjithë do t’i bënte të reflektonin dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës, gjithnjë në emër të studentëve”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi se sfidat e shoqërisë, familjeve dhe qytetarëve duhet të adresohen, por kundërshtoi përdorimin e dhunës, kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes gjatë tubimeve.
“Këtu nuk ka asnjë moment tjetër transformues përveçse një sfide të hapur me probleme që kërkojnë adresim, të shoqërisë, të familjeve të zakonshme, të gjitha legjitime, dhe dhunës, gjuhës së gurit, hurit, zjarrit, urrejtjes, ofendimeve e kërcënimeve që nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse nuk duam një të nesërme të sigurt”, deklaroi Rama.
Pretendimet e kryeministrit për përfshirjen e krimit të organizuar dhe të faktorëve të huaj në protestat nuk shoqërohen me prova konkrete në deklaratën e tij.


