Vendosni fjalën kyçe....

Rama sulmon protestën studentore: “Lëvizje imagjinare”, janë të paguar nga Antifa



Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestën studentore, duke e cilësuar si një “lëvizje imagjinare studentore”. Gjatë një komunikimi në platformat sociale, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, Rama pretendoi se në protestë janë përfshirë persona me precedentë kriminalë, të cilët paraqiten si studentë.

Kreu i qeverisë tha se ishte informuar për një listë personash të ndaluar dhe të proceduar nga Policia e Shtetit, të cilët, sipas tij, kanë ushtruar dhunë gjatë protestave dhe nuk kanë lidhje me statusin e studentit.

“Dje u informova për një listë të gjatë personash me precedentë kriminalë, të cilët nën maskën e studentit, por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore, ushtruan dhunë dhe janë ndaluar dhe proceduar nga Policia e Shtetit”, deklaroi Rama.

Ai pretendoi se këta persona synojnë destabilizimin e vendit dhe devijimin e rrugës së Shqipërisë, duke shtuar se pas tyre qëndrojnë krimi i organizuar dhe ndikime të huaja, të cilat, sipas tij, po hetohen nga autoritetet.

Rama kritikoi gjithashtu mediat që, sipas tij, nuk janë distancuar nga dhuna gjatë protestave. Ai tha se gjuha e kërcënimeve dhe përdorimi i dhunës nuk mund të përfaqësojnë një qasje qytetare për të ardhmen e vendit.

Kryeministri u shpreh se i kupton arsyet për të cilat disa qytetarë mbështesin protestën dhe ndiejnë nevojën për të protestuar, por bëri dallimin mes tyre dhe atyre që, sipas tij, kanë marrë pjesë në akte dhune.

“Pavarësisht se janë të distancuar nga dhuna, për sa kohë ai terror urban u shkaktua nga një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar ideologjikisht, nga ANTIFA, të radikalizuar fetarisht, njerëz të paguar për të yshtur ndasinë fetare. U futën në turmë, të maskuar si studentë, për të ushtruar dhunë”, tha Rama.

Kryeministri nuk paraqiti gjatë deklaratës prova publike për pretendimet mbi financimin e protestuesve apo për përfshirjen e krimit të organizuar dhe ndikimeve të huaja. Protesta studentore vijon në ditën e saj të 12-të, ndërsa për sot është paralajmëruar një tubim kombëtar në Tiranë.