Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se të gjithë personat që kanë ushtruar dhunë gjatë protestave në Tiranë, do të paguajnë.
Në një konferencë për mediat, Rama tha se ushtruesit e drejtpërdrejtë të dhunës do të përgjigjen penalisht, ndërsa frymëzuesit e dhunës, financiarisht.
Duke i cilësuar protestat e dhunshme në Tiranë si një terror urban nga ANTIFA, me qëllim gjunjëzimin e shtetit dhe mbjelljen e përçarjes fetare në Shqipëri, Rama tha se organizatorët i kanë bërë llogaritë gabim.
Përgjigja e shtetit ndaj protestuesve të dhunshëm, sipas Ramës, do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse.
“Nevoja e asaj pjesës së shoqërisë që ka nevojë për një qasje më agresive të Qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës, janë fokusi absolut i imi dhe i Qeverisë. Do të ishte ende më mirë që të kishim një dialog me ata që duan t’i artikulojnë këto nevoja dhe idetë e tyre sesi mund të afresohen këto nevoja. Ne do të prezantojmë dita ditës atë që është reflektimi ynë i përditshëm për këtë që po përpiqet të na thotë një pjesë e shoqërisë. Ndërkohë që të gjithë ata që i bëjnë jehonë dhunës, apo ushtrojnë dhunë, duhet të kuptojnë se aq sa ishte intensiv terrori urban, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse ajo që vjen nga ana e shtetit. Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin më të gabuar. Kush mendon se duke u fshehur nën maskën e studentit mund të sjellë këtu terrorin urban të ANTIFA-s dhe të bëjë punën e atyre që e duan Shqipërinë të përçarë nga ana fetare dhe e duan të ndarë nga historia e saj e lavdishme e tolerancës e mirëkuptimit, duhet ta ketë të qartë që do të paguajë në të gjitha format, si penale për ushtruesit e drejtpërdrejtë të saj, ashtu edhe financiare për hymnizuesit dhe propaganduesit e saj”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Protestat e dhunshme, Rama: Duan destabilizim, nevojitet dialog për të zgjidhur problemet! Demo: Autorët e maskuar të dhunës po identifikohen nga teknologjia (VIDEO)








