Sot në Shqipëri po protestohet me vetëm një kërkesë të vetme e të përsëritur: “Rama ik!” Dakord, rotacioni politik është i mirëpritur në çdo demokraci. Por pyetja që duhet të shtrojmë me zë të lartë është: Përse nëpër protesta nuk dëgjojmë asnjë kërkesë konkrete për problemet reale që po u marrin frymën qytetarëve çdo ditë?
Shumë kush do ta kritikojë këtë qëndrim, sepse midis shqiptarëve mbizotëron ende mendësia se çdo gjë në këtë vend varet nga një njeri i vetëm — se po të dojë Kryeministri, bën çdo gjë dhe zgjidh çdo gjë. Por ky është një iluzion ngushëllues që na shmang nga përgjegjësia jonë si shoqëri.
Një histori reale nga spitalet tona: Kur 4 pensione quhen "një kafe"
Kjo që po shkruaj nuk është një krijim letrar apo një hipotezë. Është një histori plotësisht reale, e jetuar dhe e përjetuar personalisht.
Një e moshuar duhej t'i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në një spital publik shtetëror. Përpara operacionit, mjeku nis fjalët rrotull: “Jeni e moshuar... nuk e përballoni dot...”, duke nënkuptuar se po t'i bënte operacionin po i bënte një "nder" të madh, edhe pse e moshuara nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër.
Më pas vjen udhëzimi: "Bëji një herë analizat e gjakut dhe urinës te laboratori im privat." Kostoja: 100 mijë lekë të vjetra. Për doktorin kjo është një fjalë goje, por për një pensioniste përfaqëson më shumë se gjysmën e pensionit mujor!Operacioni kryhet në godinën e shtetit, me pajisjet e shtetit dhe me burimet e taksapaguesve. Çdo gjë shkon mirë, por pas kësaj, doktori i thotë të afërmit të pacientes: “Ne marrim 500 mijë lekë për një operacion të tillë.”
Pesëqind mijë lekë të vjetra — plot katër pensione mujore! E prapë se prapë, të gjithë pranojnë e heshtin. Asnjë nuk e quan korrupsion. Madje, po të pyesësh se pse duhet paguar kjo kosto abuzive, përgjigjja e vetme që merr është: "Epo, një kafe e do doktori..."
Por 500 mijë lekë nuk janë shpërblim mirësjelljeje; janë një goditje e rëndë financiare për një familje dhe një shfrytëzim i egër i hallit të tjetrit.
“Nuk krahasohet me ministrat” dhe iluzioni se gjithçka e ka në dorë Kryeministri
Sigurisht, menjëherë vjen reagimi i zakonshëm: "Kjo nuk është asgjë krahasuar me korrupsionin e ministrave të Ramës." Është e vërtetë që korrupsioni shtetëror në nivele të larta është shkatërrues dhe duhet ndëshkuar me të gjithë forcën e ligjit. Por nëse duam të luftojmë korrupsionin, duhet ta luftojmë atë në çdo nivel, pa arsyetuar abuzimin e vogël me atë të madhin.
Prisni që Kryeministri të zbresë personalisht në çdo sallë operacioni apo në çdo sportel për të ndaluar ryshfetin? Kjo është e pamundur. Shteti funksionon përmes mekanizmave dhe institucioneve.
Dhe këtu me të drejtë prekim gangrenën tjetër të madhe: sistemin e drejtësisë. Edhe kur qytetarët kërkojnë të mbrojnë të drejtat e tyre, përballen me një sistem me gjyqe të stërgjatura që zgjasin me vite e dekada dhe me vendime sovranisht të padrejta. Kur drejtësia është e paralizuar, korrupsioni i përditshëm ushqehet e lulëzon pa asnjë frikë.
Sot shohim se si zyrtarë të lartë po kapen nga SPAK-u dhe po dërgohen para gjyqit – dhe shumë mirë bëhet. Por ndërkohë, mjekët abuzues, gjyqtarët e korruptuar dhe zyrtarët e nivelit të mesëm vazhdojnë punën e tyre krejt normalisht, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Lufta ndaj korrupsionit fillon nga vetja
Ndryshimi i një qeverie apo largimi i një kryeministri nuk e zgjidh automatikisht kulturën e "kafes" dhe pasigurinë ligjore, nëse ne si shoqëri vazhdojmë ta ushqejmë këtë zinxhir.Ne kemi nevojë për protesta me kërkesa të qarta e konkrete: reforma strukturore në shëndetësi, llogaridhënie për mjekët abuzues, përshpejtim të proceseve gjyqësore dhe pastrim të sistemit të drejtësisë.
Edhe unë që po e shkruaj këtë shkrim, duke mos e thënë emrin e doktorit, jam vetë pa dashur pjesë e këtij sistemi që i fsheh emrat nga frika apo konformizmi. Por e vërteta duhet thënë: Lufta kundër korrupsionit nuk fillon vetëm nga zyra e kryeministrit; ajo fillon nga vetë ne, nga refuzimi ynë për të paguar "kafen" e radhës dhe nga guximi për të kërkuar të drejtën tonë.
-
Shume mire e keni analizuar problemin e korrupsionit jane vete qytetaret qe japin leke ne cdo zyre qe shkojne,mjeket edhe pse i jane rritur rrogat kerkojne leke ne zyra se shkon per nje dokumente kerkojne leke ne cdo hallke te shoqerise shqiptare kerkohen leke e populli I paguan nga halli, dikush qe ka ja jep me kenaqesi,e pastaj te gjitha kto qe marrin leke kan dhe kurajon e dalin ne proteste.Po pse kryeministri i thote varteseve te tij merrni leke,po te behemi te gjithe bashke e mos te paguajme shiko se e heqin edhe ato mentalitetin e dhenies se lekeve
Përgjigju








Komente
Komento