
Në ditën e protestës kombëtare, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar gjuhën ndaj protestuesve, duke paralajmëruar pasoja penale dhe financiare për personat që, sipas tij, janë përfshirë në akte dhune.
Gjatë një komunikimi publik, Rama përsëriti pretendimet për praninë e personave të lidhur me ANTIFA-n dhe të individëve me precedentë kriminalë në protestë. Ai deklaroi se në ditët në vijim do të bëhen publike fakte lidhur me këto pretendime, ndërsa njoftoi se qeveria do të prezantojë së shpejti propozime dhe masa konkrete.
“Së shpejti do të bëjmë me dije masat që do të marrim. Do të dalim me propozime shumë shpejt dhe me masa konkrete”, u shpreh kryeministri.
Rama iu referua edhe protestave të zhvilluara për muaj me radhë pranë Kryeministrisë, duke pretenduar se u kishte dëgjuar kërkesat protestuesve dhe se ata kishin refuzuar vazhdimisht të uleshin për të biseduar.
Sipas tij, në protestë ka një grup të lidhur me ANTIFA-n, të cilin e akuzoi për nxitje të dhunës dhe ushtrim të presionit psikologjik ndaj të tjerëve. Rama pretendoi gjithashtu se në tubime janë përfshirë persona me të shkuar kriminale, por nuk paraqiti prova publike për këto akuza gjatë deklaratës.
Kryeministri paralajmëroi se reagimi i shtetit do të vijojë edhe pas përfundimit të protestave, duke iu referuar dëmeve të shkaktuara ndaj bizneseve dhe pronës.
“Ata që i bëjnë jehonë dhunës duhet të kuptojnë se aq sa intensiv ishte terrori urban dhe mbi bizneset, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse ajo që vjen nga ana e shtetit”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se personat që, sipas tij, fshihen pas turmës së studentëve për të kryer akte dhune do të përballen me pasoja ligjore dhe financiare.
“Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin e gabuar. […] Do të paguajë. Që nga penalja për ushtrim të dhunës deri te fatura financiare”, përfundoi kryeministri.