Nga Evarist Beqiri

Rregulli numër një i sociologjisë politike është i pamëshirshëm. Nëse një qeveri hyn në luftë me shoqërinë e saj, ajo luftë është e humbur. Kjo që po shohim sot në rrugët e Tiranës nuk është më menaxhim i rendit publik. Ky është kapitulli i fundit i një regjimi që ka kaluar nga represioni fizik me gaz lotsjellës, te terrori kushtetues dhe psikologjik. Kryeministri e ka braktisur qeverisjen për t’u sjellë si Kryeprokuror Publik i një republike të rënë, duke tundur dosje penale në ekran për të bërë gjyqe publike. Në kërkim të alibive, ai ka harruar se parlamentin, administratën dhe policinë i mbushi vetë me individë me precedentë penalë.

Nëse humbet legjitimiteti, shteti reduktohet thjesht në një “bandë e armatosur” që herët a vonë shtypet nga pesha e vet. Historia na mëson se, asnjë pakicë e armatosur deri në dhëmb nuk mund të mbajë peng një shumicë përgjithmonë. Qeveria po përdor dhunë ndaj shqiptarëve për të fshehur faktin që tashmë ka vdekur politikisht. Studimet na tregojnë se, nëse një qeveri hyn në përplasje ballore me shoqërinë e vet, makineria shtetërore do të thyhet. Shteti e mban monopolin e dhunës vetëm për sa kohë shoqëria e konsideron atë si “legjitim”.

Asnjë bulevard i shtruar bukur nuk e mbulon dot kalbëzimin e arkitekturës së shtetit. Le të kujtojmë një nga aktet e tij të fundit në fushën e sigurisë kombëtare, i cili i ka vendosur kazmën Kushtetutës, Kodit të Procedurave Administrative dhe ligjit organik. SHISH është shndërruar në një drejtori në varësi të Kryeministrit. Ai po përdor marifete administrative të denja për një autokrat.

Sot, trashëgimia e tij 13-vjeçare është një administratë ku hajdutëria u institucionalizua dhe banditizmi u kthye në metodologji qeverisëse. Ndërkohë ministrat e drejtorët e lartë presin radhën në dyert e SPAK-ut. Krimi i organizuar në këtë vend nuk ka nevojë të gjuajë me gurë në bulevard. Ai merr leje ndërtimi, fiton tendera strategjikë dhe pastron miliarda me firmën e këtij pushteti.

Sot po jetojmë hipokrizinë më të frikshme të “Shtetit të së Drejtës”. Vetëm pak ditë më parë, qeveria kërkoi “imunitet dixhital” që SPAK të mos u sekuestronte telefonat zyrtarëve të lartë, ndërsa sot shpall gjendje ushtarake dixhitale për rininë, duke u rrëmbyer telefonat rinisë në rrugë pa asnjë mandat. Është i njëjti standard i dyfishtë me financat: gjenden urgjentisht miliona dhe çeqe shpërblimi prej 2500 eurosh për policët që dhunojnë rininë, por s’ka fonde për laboratorët e atyre që goditen. Kur arkën e shtetit e zbrazin koncesionet fantazmë, buxheti nuk quhet më publik, por buxhet i një klike mafioze.

Në dëshpërim e sipër, Kryeministri luan teatrin e gurit. Ai thotë se nuk negocion me dhunën që vetë e shkaktoi, ndërkohë që ka 13 vite që negocion çdo ditë me thasët e parave të pista. Ai i quan të rinjtë “terroristë” apo “brezi i TikTok-ut që nuk lidh dot 7 fjalë”, duke harruar se kjo rini është edukuar 100% nën kurrikulat e qeverisjes së tij. Mediokriteti është simbolika e pushtetit të tij. Nëse pas 13 vitesh produkti yt është një rini e paditur, ti nuk je viktimë, ti je arkitekti.

Ndërkohë ai po zëvendëson monopolin e forcës shtetërore duke nxjerrë militantët e partisë me hunj kundër protestuesve. Kjo nuk është ruajtje e rendit demokratik. Kjo është taktikë paramilitare e “Këmishëzinjve”.

Ftesa për dialog, me pranga në njërën dorë, lista të zeza dhe gjoba për familjet në tjetrën, nuk është negocim, është thirrje për dorëzim. Shqipëria nuk ka nevojë të zgjedhë mes kaosit dhe arrogancës. Ka nevojë për rend pa arbitraritet, meritokraci, autonomi të vërtetë financiare për universitetet dhe drejtësi të pavarur. Legjitimiteti qeverisës nuk mund të zëvendësohet pafundësisht me frikën.

Historia na mëson se një qeveri mund ta kontrollojë përkohësisht rrugën me gaz lotsjellës dhe blerje besnikërie; por asnjë qeveri nuk mund ta rikthejë besimin me fyerje, arrogancë dhe kërcënime. Sot pyetja nuk është kush po e fiton betejën e natës në bulevard, por nëse shteti shqiptar do të mbijetojë pa rënë përfundimisht në greminën e një autokracie të dhunshme.

Europa nuk është thjesht destinacioni ku duam të shkojmë, por standardi me të cilin duhet të sillemi këtu. Një qeveri mund ta ruajë shumicën parlamentare, por nuk mund ta imponojë pafundësisht legjitimitetin. Nëse e trajton kundërshtimin politik si kërcënim dhe frikën si instrument qeverisjeje, ajo nuk e zgjidh krizën. E thellon atë. Asnjë qeveri nuk e ka fituar dot kurrë luftën kundër popullit të vet. Ajo thjesht mund të vonojë datën e kapitullimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb