Kryeministri Edi Rama i ndan protestuesit në dy kategori. Grupi i parë, sipas tij, janë ata që protestojnë paqësisht dhe me kërkesa të drejta, për të cilat qeveria do të reflektojë. Protesta, qëllimet, arsyet dhe mbi të gjitha nevoja e asaj pjese të shoqërisë që ka nevojë për një qasje më agresive të qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës dhe ndaj problematikave që lidhen me meritën në promovimin e burimeve njerëzore, e kështu me radhë, janë fokusi absolut i imi dhe i qeverisë dhe do të ishte ende më mirë që të kishim një dialog me ata, të cilët duan t'i artikulojnë këto nevoja dhe duan t'i artikulojnë dhe idetë e tyre, për se si mund të adresohen këto nevoja. Gjithsesi ne, çështje orësh, ditësh do të prezantojmë atë që është reflektimi ynë i përgjithshëm mbi këtë që po përpiqet të na thotë një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë thjesht e vetëm, duke simpatizuar një protestë, tek e cila sheh nevojën dhe sheh mënyrën se si ta bëjë qeverinë ende më të vëmendshme.