Kryeministri Edi Rama sërish komentoi protestat e ditëve të fundit, duke u ndalur te dhuna, akuzat për organizimin e saj dhe kërkesat e qytetarëve për përmirësimin e kushteve të jetesës.
Rama zbuloi edhe një bisedë telefonike me një pedagog të Universitetit të Mjekësisë, me të cilin diskutoi për problematikat e ngritura dhe nevojën për dialog.
Kryeministri theksoi se protesta paqësore është një e drejtë demokratike, ndërsa paralajmëroi masa ndaj personave që kryejnë akte dhune.
Sot jam këtu përsëri me Ministrin e Brendshëm, i cili dje ishte në një vizitë për të ndarë së bashku me përfaqësues të tjerë të vendeve europiane, eksperiencën dhe njëkohësisht edhe për të koordinuar më tej punën me homologët në Itali dhe në Francë, pasi së bashku me të dyja këto vende, jemi në kontakt të vazhdueshëm, duke qenë se njëkohësisht në të tria vendet tona, flama e terrorit urban të ANTIFA-s është shfaqur me forcën e vet të verbër e në ndërkohë ne kemi edhe një sërë specifikash, të cilat i ndjekim me shumë kujdes.
Dje, unë ju informova për një listë të gjatë personash me precedent kriminal, të cilët nën maskën e studentit, por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore ushtruan dhunë dhe janë ndalur dhe proceduar nga Policia e Shtetit.
Një listë domethënëse përfaqësuese e një komponenti të dhunshëm të protestës që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim shumë të qartë: destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë, duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën.
Natyrisht që, pas atyre personave, qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja për të cilat vazhdojmë të hetojmë intensivisht.
Por ajo, që më bëri më shumë përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste, e cila minimalisht duhet t’i bënte të gjithë të reflektonin mbi mosdistancimin nga dhuna dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës, gjithnjë në emër të studentëve, në emër të rinisë që sipas këtyre ekraneve dhe sipas sidomos VIP-ave të mbrëmjeve të hymnizimit të dhunës nëpër këto ekrane, i përkasin një “momenti transformues” për Shqipërinë.
Këtu në fakt nuk ka asnjë moment tjetër transformues, përveçse një sfide të hapur me probleme të cilat kërkojnë adresim, pa diskutim probleme të shoqërisë, probleme të familjeve të zakonshme, probleme të studentëve, probleme të rinisë të tëra legjitime dhe dhunës, gjuhës së gurit, gjuhës së hurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës së urrejtjes, gjuhës së ofendimeve, të kërcënimeve, e cila nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse ne duam një të nesërme të sigurtë për këtë vend dhe për fëmijët tanë.
Dhe këtu do ta bëj shumë të qartë ndarjen se dua të bëj shumë të qartë njëkohësisht edhe faktin se ne jemi duke punuar intensivisht me orë të zgjatura për të adresuar të dyja anët e kësaj medaljeje.
Duhet të bëj të qartë që jemi shumë të vëmendshëm dhe jam shumë i vëmendshëm personalisht në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumëkënd, përtej faktit që votojnë apo s’votojnë për mua dhe për shumicën qeverisëse, të simpatizojnë një protestë dhe të ndjejnë nevojën për të protestuar pavarësisht se janë të distancuar nga dhuna për sa kohë ajo protestë, ai terror urban u shkaktua jo nga dhjetra mijëra e qindra mijëra qytetarë, por nga një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar ideologjikisht ANTIFA, të radikalizuar fetarisht, njerëz të nxitur dhe të paguar për të yshtur dasinë fetare, të radikalizuar qytetarisht, njerëz me precedent penal kriminel të futur në turmë, të maskuar si studentë për të ushtruar dhunë.
Protesta është një e drejtë që askush nuk mund ta mohojë. Liria për të protestuar është një e drejtë që askush nuk mund ta diskutojë dhe që çdo shtet demokratik duhet ta garantojë. Dhe rruga e protestës paqësore është rruga që çon tek dialogu.
Dje kam pasur një bisedë miqësore telefonike me një pedagog të Universitetit të Mjekësisë i njohur për qëndrimet e tij le të themi në anën tjetër të spektrit politik, por i nderuar për profesionalizmin e tij, të cilit u mundova t’i them që një protestë bëhet për t’u dëgjuar. Njeriu proteston kur ka ndjesinë që nuk po e dëgjon kush për atë që ai sheh të nevojshëm.
Pra, një protestë bëhet për t’u ulur në tryezë. Një protestë nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo për të përmbysur shumicën qeverisëse me dhunë. Natyrisht kur kjo protestë nuk është protestë e një partie politike, por është një protestë e një segmenti qytetar, atëherë kuptimi i saj është të ulemi dhe të bisedojmë.
Dhe e pyeta, çfarë problematikash shikoni ju që ju bëjnë që të bëheni pjesë e këtij grupi relativisht shumë të vogël, krahasimisht me gjithë studentët dhe pedagogët që vjen këtu poshtë dritares time. Dhe arsyet që më tha ishin të gjitha arsye që lidheshin me gjëra specifike në spitalin universitar, krejt legjitime, dhe prandaj i thashë, po mirë ne ulemi i diskutojmë dhe i shohim se si mund t’i çojmë përpara.
Pra, çdo protestë për t’u dëgjuar bëhet problem kur qeveria, kur autoritetet, kur institucionet nuk duan të dëgjojnë. Ndërsa kur institucionet, qeveria, autoritetet thonë që ne jemi këtu, jemi gati t’ju dëgjojmë, jemi gati të dialogojmë, jemi gati të kuptohemi dhe të mirëkuptohemi, atëherë këmbëngulja në protestë është pa sens, nëse është ky qëllimi i saj.
Ndërsa liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme, dhuna është një krim i ndëshkueshëm.
Dhe kjo është dhe arsyeja pse ne jemi duke punuar në të dyja drejtimet, për të adresuar ato që ne i shohim si momente të rëndësishme psikologjike dhe nevoja imediate të njerëzive për të pasur një dorë mbështetje në kushtet e shtrenjtimit të jetesës, po e përgjithësoj në këtë fjali, dhe nga ana tjetër sigurisht garantimin e sigurisë, të rendit, të qetësisë duke marrë masa kundër dhunuesve, duke marrë masa kundër anarkisë, duke marrë masa kundër idesë se unë jam i lirë të protestoj dhe në emër të kësaj lirie mund t’ia marr të gjithë të tjerëve lirinë për të qarkulluar, lirinë për të punuar, lirinë për të jetuar, lirinë për të çuar fëmijët në shkollë, e kështu me radhë.
Në anën e asaj pjese, padiskutim të respektueshme dhe të respektuar të shoqërisë që kërkon më shumë mbështetje, kërkon më shumë meritë në shkallën e promovimit të aftësive, kërkon më shumë mundësi për t’u strehuar, pa ju marrë krejt fryma nga kostoja e strehimit në Tiranë, që kërkon më shumë rishpërndarje dhe le të themi barazi sociale, – ne jemi absolutisht të fokusuar dhe së shpejti do të bëjmë me dije dhe cilat do të jenë masat që do të marrim.
Ndërsa, në anën e sigurisë, në anën e garantimit të të gjitha lirive dhe të drejtave, ne po ashtu në bashkëpunim dhe me partnerët tanë dhe duke parë dhe hapat që ata hodhën në Itali dhe në Francë, do të dalim shumë shpejt me propozime dhe me masa shumë konkrete.
Kjo është pak a shumë panorama e përgjithshme që unë desha të bëj përpara se t’i jap fjalën Ministrit të Punëve të Brendshme.
Dhe në ndërkohë, dua t’ju them të gjithëve që kush thotë se deri më sot, paskam qenë dhe paskemi qenë indiferentë ndaj atyre që erdhën për katër muaj poshtë dritares së zyrës time, harron që në fakt për katër muaj, unë kam dëgjuar më shumë se çdokush tjetër dhe po aq sa ata kanë dëgjuar njëri-tjetrin çdo gjë që ata kanë thënë.
Sepse unë kam qenë duke punuar lart në zyrë, ata kanë qenë duke sharë, duke ofenduar, duke kërcënuar poshtë zyrës, pa thënë asnjëherë asgjë konkrete dhe pa kërkuar asnjëherë asnjë gjë konkrete, madje duke refuzuar në vazhdimësi që të ulen dhe të bisedojnë dhe unë e kam thënë, nuk kam ndërmend të tregoj komunikime me mesazhe me një sërë prej tyre që ishin aty poshtë.
Kam komunikuar dhe me telefon, i kam ftuar dhe ata i ka karakterizuar frika nga njëri-tjetri, dëshira për të folur, por frika nga njëri-tjetri, frika se do cilësoheshin si tradhtarë, frika se do pastaj, pësonin pasojat e dhunës së të tjerëve, të cilët janë një grup ANTIFA aty, i ideologjizuar nga “profesori” i mirënjohur, “predikuesi” i mirënjohur i dhunës që e njohin të gjithë dhe nuk dua as ta përmend me emër dhe që kanë një aftësi dhe një kapacitet vërtetë të spikatur për të futur të tjerët në terror psikologjik dhe për të detyruar të tjerët që t’i shkojnë nga mbrapa.
Pastaj ka pasur dhe një komponent tjetër, komponent kriminelësh, të cilët kanë qenë të pranishëm, njerëz të hurit dhe të litarit që kanë bërë të tyren në atë protestë.
Unë jam i bindur që ditët dhe muajt do të sjellin në dritë dëshmi të vetë atyre protestuesve, kur ata të çlirohen nga gjithë ky qerthull i një revolucioni tërësisht imagjinar pas të cilit qëndrojnë edhe forca që nuk e duan përparimin e Shqipërisë. Kjo është pak po është shumë e sigurtë. Zoti ministër…
Edhe një herë tjetër për ta përmbyllur; protesta, qëllimet, arsyet dhe mbi të gjitha nevoja e asaj pjese të shoqërisë që ka nevojë për një qasje më agresive të qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës dhe ndaj problematikave që lidhen me meritën në promovimin e burimeve njerëzore, e kështu me radhë, janë fokusi absolut i imi dhe i qeverisë dhe do të ishte ende më mirë që të kishim një dialog me ata, të cilët duan t’i artikulojnë këto nevoja dhe duan t’i artikulojnë dhe idetë e tyre, për se si mund të adresohen këto nevoja.
Gjithsesi ne, çështje orësh, ditësh do të prezantojmë atë që është reflektimi ynë i përgjithshëm mbi këtë që po përpiqet të na thotë një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë thjesht e vetëm, duke simpatizuar një protestë, tek e cila sheh nevojën dhe sheh mënyrën se si ta bëjë qeverinë ende më të vëmendshme.
Ndërkohë që, të gjithë ata, të cilët hymnizojnë dhunën, të gjithë ata, të cilët i bëjnë jehonë dhunës, të gjithë ata, të cilët ushtrojnë dhunën, duhet të kuptojnë se aq sa ishte intensiv dhe i përqendruar dhe i zgjatur terrori urban, terrori mbi popullsinë e Shqipërisë, terrori mbi bizneset dhe mbi familjet e zakonshme, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse, ajo që vjen nga ana e shtetit.
Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin më të gabuar dhe kush mendon se duke u fshehur nën maskën e studentit apo duke shfrytëzuar simpatinë natyrale të shoqërisë për figurën e studentëve mund të sjellë këtu terrorin urban të ANTIFA-s, mund të bëjë këtu punën e atyre që e duan Shqipërinë të përçarë nga ana fetare, e duan Shqipërinë të ndarë nga historia e saj e lavdishme e tolerancës, e harmonisë dhe e mirëkuptimit, duhet ta ketë të qartë që, jo vetëm nuk do t’ia dalë, por do të paguajë, do të paguajë në një sërë formash që nga ajo penalja për ushtruesit e drejtpërdrejtë të dhunës tek ajo financiarja për hymnizuesit dhe për propaganduesit e saj.