Analisti Fatos Lubonja ka komentuar protestën kombëtare të paralajmëruar për sot në orën 14:00, duke e cilësuar pozitive përfshirjen e grupimeve të ndryshme shoqërore dhe politike. Në një intervistë për News24, ai u shpreh se bashkimi i tyre mund të ndihmojë në arritjen e synimit për largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Lubonja theksoi se në protestë duhet të marrin pjesë edhe mbështetës të Partisë Demokratike, duke bërë dallimin mes qytetarëve që protestojnë dhe përfaqësuesve politikë të partisë.
“Protesta ka pasur nevojë që të marrin pjesë grupimet shoqërore dhe politike. Kjo e bën më të lehtë atë që duam të gjithë: largimin e qeverisë me në krye Edi Ramën. Edhe anëtarë të PD-së duhet të jenë aty, sepse edhe ata janë shqiptarë. Një gjë janë mbështetësit që janë aty dhe gjë tjetër deputetët”, deklaroi ai.
Analisti kritikoi gjithashtu Partinë Demokratike, duke thënë se ajo duhet të analizojë përgjegjësitë e saj për lidhjet që, sipas tij, ka pasur në të kaluarën me oligarkët dhe krimin. Lubonja u shpreh se këto çështje duhet të adresohen, veçanërisht në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.
“PD akuzohet me të drejtë se ka qenë pjesë e këtij sistemi kriminal, që po vazhdon në mënyrë më kriminale se më përpara dhe më absolute njëkohësisht. PD ka përgjegjësitë e saj, sepse ka bashkëpunuar me oligarkët, që Rama sot i ka me vete. Lidhjet me krimin të politikës kanë qenë dhe në kohën e Sali Berishës. PD duhet të reflektojë dhe të bëjë një ndryshim”, u shpreh Lubonja.
Ai theksoi se opozita duhet të gjejë një mënyrë për të bashkuar sa më shumë qytetarë rreth protestës dhe, në perspektivën e zgjedhjeve, të shqyrtojë mundësinë e daljes me një kandidat të përbashkët.
Sipas Lubonjës, kryeministri Rama po qëndron në pushtet përmes dhunës policore, ndaj ai bëri thirrje për bashkimin e të gjithë atyre që kërkojnë largimin e tij nga politika.












