Ukraina, Rusia dhe SHBA pritet të zhvillojnë bisedime në Abu Dhabi në javën e parë të nëntorit, për të arritur një marrëveshje paqeje.
Kreu i shtetit ukrainas, Volodymir Zelensky shprehu gatishmërinë për negociata për një armëpushim të plotë. Nëse Moska nuk pranon një marrëveshje të gjerë, Kievi është i gatshëm të shqyrtojë edhe një armëpushim të kufizuar, që do të përfshinte sektorin energjetik ose operacionet detare.
Sipas Zelenskyt, çështja e territoreve mbetet veçanërisht e ndjeshme dhe duhet të diskutohet drejtpërdrejt mes liderëve. Ai kërkoi gjithashtu përfshirjen e Evropës në procesin diplomatik.
Ndërkohë, presidenti ukrainas përshëndeti kthimin e 270 ushtarëve të mbajtur peng në Rusi, por nënvizoi se nevojiten shkëmbime të tjera për kthimin e të gjithë të burgosurve.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Zelensky lidhet me kufizimet në sistemet satelitore Starlink, të cilat përdoren nga ushtria ukrainase për komunikim dhe operacione me dronë. Ai kundërshtoi deklaratat se shërbimet ishin rikthyer plotësisht, duke thënë se kufizimet e shpejtësisë vazhdojnë të ndikojnë në aftësinë mbrojtëse të vendit, veçanërisht pranë vijës së frontit.
Sipas presidentit ukrainas, pavarësisht garancive të dhëna nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shërbimet nuk janë rikthyer në nivelin e kërkuar. Kievi paralajmëron se kufizimet e komunikimit e vështirësojnë kundërpërgjigjen ndaj dronëve rusë, të cilët mund të arrijnë shpejtësi dukshëm më të larta.










