Në prag të protestës kombëtare të studentëve, e njoftuar për sot në orën 14:00, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka inspektuar në terren efektivët e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Gjatë takimit me drejtuesit e shërbimeve policore, Hita u ka kërkuar të sigurojnë zbatimin e ligjit dhe respektimin e parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjeve.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Hita ka theksuar se efektivët duhet të garantojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, duke ruajtur qetësinë dhe duke u ardhur në ndihmë personave që mund të kenë nevojë.
Ai u ka kërkuar gjithashtu drejtuesve të shërbimeve të instruktojnë efektivët për të parandaluar aktet e dhunshme dhe për të reaguar ndaj tyre në përputhje me ligjin.
