Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi nga protesta para Kryeministrisë se opozita është në mbështetje të lëvizjes studentore dhe kauzave të saj, duke theksuar se qytetarët nuk duhet t’i lënë të vetëm të rinjtë në kërkesat e tyre.
“Kemi ardhur në ndihmë të studentëve. Jemi në mbështetje të lëvizjes studentore. Është e pafalshme për çdo njeri që të mos u vijë në ndihmë studentëve. Kauza e tyre është largimi i Edi Ramës, krijimi i qeverisë teknike dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Këlliçi.
Ai komentoi edhe sulmet publike të kryeministrit Edi Rama ndaj studentit Jon Sinoimeri, duke e akuzuar kreun e qeverisë se po përdor akuza për të frikësuar dhe intimiduar të rinjtë që janë pjesë e protestës.
“Dje studenti Jon Sinoimeri u akuzua publikisht nga Rama si një person i dënuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Si në rastin e Jon Sinoimerit, Edi Rama i bën këto deklarata për të intimiduar studentët. Kjo protestë nuk ka lidhje as me ANTIFA-n, as me asgjë tjetër”, deklaroi nënkryetari i PD-së.
Këlliçi theksoi se prania e opozitës në protestë synon të mbështesë studentët dhe kërkesat e tyre, ndërsa përsëriti se largimi i Ramës, krijimi i një qeverie teknike dhe zgjedhjet e lira e të ndershme janë pjesë e kauzës që ata po mbrojnë.a.b.





