Vushtrria nuk del në fushë, Ballkani pritet ta fitojë ndeshjen me rezultat zyrtar

Vushtrria dhe Ballkani ishte ndeshja e parë e planfikuar për ditën e sotme (e shtunë) në kuadër të javës së 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, por vendasit nuk janë paraqitur në fushë.
Vushtrriasit ishin paraparë të jenë nikoqir të therandasve në ndeshjen që pritej të zhvillohet në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë nga ora 14:00.
Megjithatë, ekipi vendas nuk ka dalë fare në fushë, shkaku i bojkotit të futbollistëve, të cilët arsyetohen me mungesën e pagave të mos dhëna nga ana e kryesisë.
Përkundër një reagimi zyrtar nga klubi i Vushtrrisë për një marrëveshje mes tyre dhe futbollistëve për shlyerjen e borxhit pas disa ditësh, ata nuk kanë pranuar të luajnë duke pamundësuar zhvillimin e ndeshjes.
Në anën tjetër, lojtarët mysafirë dhe gjyqtarët kanë dalë në fushë për të pritur ekipin vendas, por pas mungesës së ekipit vendas ata janë kthyer në zhveshtore duke ia lënë në dorë vendimin komisionit pranë FFK-së.
Sipas rregullores, Ballkani pritet ta fitojë këtë ndeshje me rezultat zyrtar 3-0.
/Telegrafi/













































