Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po punon intensivisht për të adresuar problematikat që kanë nxitur protestat e ditëve të fundit, ndërsa akuzoi grupe të radikalizuara ideologjikisht, fetarisht dhe persona me precedentë penalë për ushtrimin e dhunës gjatë tubimeve.
Gjatë një komunikimi për mediat, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, Rama theksoi se është i vëmendshëm ndaj arsyeve që i shtyjnë qytetarët të mbështesin protestat, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Kreu i qeverisë nënvizoi se po punohet për të adresuar si problematikat që nxisin pakënaqësinë, ashtu edhe situatat e dhunshme gjatë protestave.
“Do të bëj të qartë që jemi shumë të vëmendshëm dhe jam shumë i vëmendshëm personalisht në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumë kënd, përtej faktit që votojnë apo s’votojnë për mua dhe për shumicën qeverisëse, të simpatizojnë një protestë dhe të ndjejnë nevojën për të protestuar”, u shpreh Rama.
Megjithatë, ai pretendoi se dhuna nuk ishte shkaktuar nga qytetarët që dolën për të protestuar, por nga grupe të ndryshme që, sipas tij, ishin përfshirë në tubime me qëllim ushtrimin e dhunës.
“…Ai terror urban u shkaktua jo nga dhjetëra mijëra e qindra mijëra qytetarë, por nga një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar ideologjikisht (Antifa), të radikalizuar fetarisht, njerëz të nxitur dhe të paguar për të ushtruar ndasinë fetare, të radikalizuar qytetarisht, njerëz me precedent penal, kriminal, të futur në turmë, të maskuar si studentë, për të ushtruar dhunë”, deklaroi kryeministri.
Rama u ndal edhe te e drejta për të protestuar, duke theksuar se ajo është një e drejtë themelore që duhet të garantohet në çdo shtet demokratik. Sipas tij, protesta nuk mund të përdoret si justifikim për veprime të dhunshme.
“Protesta është një e drejtë që askush nuk mund ta mohojë. Liria për të protestuar është një e drejtë që askush nuk mund ta diskutojë dhe që çdo shtet demokratik duhet ta garantojë. Dhe rruga e protestës paqësore është rruga që çon tek dialogu”, tha Rama.


