Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi ka njoftuar se Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 5 mijë euro Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Prishtinës, për moskryerjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore lidhur me menaxhimin e mbeturinave vëllimore dhe deponive të dheut.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se në deponinë e dheut të NPL “Gjelbër” dhe në hapësirat përreth janë konstatuar mbeturina vëllimore jashtë zonës së përcaktuar për deponim.


Sipas saj, pavarësisht njoftimeve të përsëritura, Drejtoria e Inspekcionit nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për trajtimin e kësaj çështjeje.

Pacolli ka theksuar se institucionet publike duhet të japin shembull në mbrojtjen e mjedisit dhe të mos neglizhojnë përgjegjësitë e tyre ligjore për parandalimin e ndotjes dhe menaxhimin e duhur të mbeturinave.

“Institucionet duhet të jenë shembull me veprimet e tyre në mbrojtjen e mjedisit dhe assesi të mos neglizhojnë përgjegjësitë dhe masat që duhet të ndërmarrin për parandalimin e ndotjes dhe menaxhimin e duhur të mbeturinave”, ka shkruar Pacolli.

Ajo e ka përmbyllur reagimin me mesazhin: “Ligji vlen për të gjithë njësoj”. /Telegrafi/