Dhuna policore ndaj studentëve dhe qytetarëve ka përfshirë disa zona të Tiranës, ndërsa protesta kombëtare është përshkallëzuar në përplasje të rënda me forcat e rendit.
Sulmi nisi pranë Ministrisë së Arsimit, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj studentëve. Më pas, qytetarët dhe studentët u grumbulluan para Kryeministrisë, ku u përballën sërish me dhunën policore, përmes gazit lotsjellës, sprajit në fytyrë dhe breshërive me plumba gome.
Si pasojë e ndërhyrjes së policisë, raportohet për shumë protestues të plagosur nga gazetarët e Syrit në terren, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Prej më shumë se dy orësh, forcat e policisë po ndjekin këmba-këmbës studentët në rrugët e Tiranës, duke përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome. Përndjekja e protestuesve ka zhvendosur përplasjet nga zona e Kryeministrisë në rrugët e kryeqytetit, duke e kthyer protestën në një situatë të rëndë tensioni.
Ndërsa studentët dhe qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë së Edi Ramës, përgjigjja e policisë ka qenë përdorimi i dhunës barbare ndaj protestuesve, në një situatë ku raportohen të plagosur dhe përplasje të vazhdueshme.
© SYRI.net