Protesta e sotme me pjesëmarrje të jashtëzakonshme nuk vijoi dot e qetë.
Kjo, sepse policia nuk lejoi protestuesit që të afrohen në bulevard pranë Kryeministrisë.
Policia përdori gaz lotsjellës masiv, duke mos pyetur edhe për faktin nëse në bulevard kishte vajza, familjarë apo fëmijë.
Për shkak të gazit të madh lotsjellës të hedhur, ka pasur edhe raste që është kërkuar ndihma e ambulancës.
Ambulanca mësohet se ka marrë dy vajza, që nuk janë ndjerë mirë, dyshohet për shkak të gazit lotsjellës.
Protestuesit janë shpërndarë nëpër rrugët e Tiranës, teksa policia i ndjek këmba-këmbës.
Pas tri ditëve relativisht të qeta, protesta e sotme ka rikthyer kaosin në Tiranë. Protestuesit iu kthyen sulmeve me gurë, kapsollë e fishekzjarrë, të cilave policia u është përgjigjur menjëherë me ujë e gaz lotsjellës duke e zbrazur brenda disa minutash bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”
Bulevardi është i veshur nga një tymnajë, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në rrugët e qytetit. Edhe efektivët po marshojnë, por situata po pasohet vetëm nga incidentet e zakonshme të koshave të djegur.
Ndërkohë, te kryeministria janë pozicionuar edhe forcat RENEA.