Protestuesit kanë vijuar sot me aktet vandale në Tiranë, ku sëfundmi u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave në të dy krahët e ‘Urës së Bllokut’, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Nga pamjet duket se koshat e mbeturinave janë shkrumbuar nga flakët, ndërsa disa prej tyre janë përmbysur në rrugë.
Pas tri ditëve relativisht të qeta, protesta e sotme ka rikthyer kaosin në Tiranë. Protestuesit iu kthyen sulmeve me gurë, kapsollë e fishekzjarrë, të cilave policia u është përgjigjur menjëherë me ujë e gaz lotsjellës duke e zbrazur brenda disa minutash bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”
Bulevardi është i veshur nga një tymnajë, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në rrugët e qytetit. Edhe efektivët po marshojnë, por situata po pasohet vetëm nga incidentet e zakonshme të koshave të djegur.
Ndërkohë, te kryeministria janë pozicionuar edhe forcat RENEA.
Skenari i protestuesve i gjeti të gatshëm efektivët që prej përplasjeve të para te Ministria e Arsimit që ndërhynë menjëherë me autobotët që i ndoqën duke hedhur ujë e gaz lotsjellës duke i zhvendosur brenda pak minutash drejt qendrës. Nga aty, u shpërndanë në drejtime të ndryshme dhe shkuan te kryeministria.
Nga ana e policisë, ka pasur edhe përdorim të spray-t me piper dhe fishekëve të gomës.