Rreth 200 zjarrfikës dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës luftuan për orë të tëra me flakët që përfshinë ndërtesën historike të njohur si “Foleja e Shqiponjës” (The Eagle’s Nest), në jug të Gjermanisë.

Ndërkohë, policia ka ndaluar një person pranë vendit të ngjarjes dhe po heton shkaqet e zjarrit.


Zjarri shpërtheu në ndërtesën Kehlsteinhaus, pranë Berchtesgadenit, në Bavari. Sipas gazetës gjermane Bild, ndërtesa ka pësuar dëme aq të mëdha saqë mund të mos shpëtohet.

E ndërtuar në vitin 1938 si shtëpi pritjeje për zyrtarët nazistë dhe mysafirët e tyre, ndërtesa ndodhet në Alpet bavareze dhe përdorej herë pas here edhe nga Adolf Hitleri.

Për këtë arsye, ajo njihej gjithashtu si “Shtëpia e Çajit e Hitlerit”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, objekti u ruajt si monument historik i lidhur me periudhën naziste.

Policia bavareze ka bërë të ditur se ende nuk dihet shkaku i zjarrit. Autoritetet po hetojnë nëse personi i ndaluar ka lidhje me incidentin, por deri më tani nuk është konfirmuar një lidhje e tillë. /Telegrafi/