Pajisja me pasaportë shqiptare të portierit të Kaljarit, Elia Kaprile, është bërë temë diskutimi në ditën e fundit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali. Mediat përtej Adriatikut i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj situate, duke pasur parasysh se portieri është ndër më të vlerësuarit aktualisht në Serinë A.

Kaprile bëri kërkesën për pasaportën duke marrë për bazë faktin se bashkëshortja e tij është shqiptare. Kjo nuk nënkupton detyrimisht që ai mund të luajë me Kombëtaren shqiptare, pasi në mes hyjnë edhe rregulloret e FIFA-s. Por gjithsesi, situata është bërë një temë e nxehtë pasi edhe italianët nuk duan të humbasin një opsion më shumë për prapavijën e tyre, nëse në të vërtetë Maran do të tundonte gardianin.

Sipas televizionit publik italian, “Rai”, situata nuk do të përfundojë në FIFA. “Kaprile është grumbulluar më parë në përfaqësuesen e kaltër, por nuk ka luajtur kurrë. Kjo mund t’i lejojë, në teori që t’i përgjigjen një thirrje të Shqipërisë. Por, përtej rregullave të rrepta të FIFA-s, dëshira e portierit ka qenë gjithmonë ajo që të vazhdojë me fanellën e kaltër.

Një objektiv që edhe falë paraqitjeve të mira në këtë start të kampionatit, mund të arrihet që në grumbullimin e ardhshëm të Roberto Mançinit. Në listën e fundit të emrave të thirru nga Mançini, ai nuk ishte. Por portieri shpreson gjithmonë që të bëjë të ndërrojë mendje trajnerin që fitoi Europianin”, shkruhet në artikullin e “rainews.it” rreth kësaj teme.

Paralelisht, në mediat italiane tashmë ka dalë në skenë edhe situata e Alen Sherrit, shokut të skuadrës së Kapriles te Kaljari dhe pjesë e kontingjentit të Kombëtares kuqezi.

“Në këtë histori ka një protagonist i cili mund të jetë më i shqetësuari nga të gjithë dhe bëhet fjalë për Alen Sherrin, portierin 28-vjeçar i cili në këtë moment bën zëvendësuesin e Kapriles te Kaljari dhe do të dëshironte të mbante të paktën rolin e titullarit te Shqipëria”, theksohet në artikullin që “virgilio.it” i ka kushtuar lajmit i cili bëri bujë në Itali në 24 orët e fundit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb