Vendosni fjalën kyçe....

UGSH dënon dëmtimin e gazetarit nga autoboti i policisë, kërkon hetim për lëndën e përdorur


Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar goditjen dhe dëmtimet fizike të gazetarit të News 24, Klevin Muka, gjatë protestës së zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë. Organizata pretendon se gazetari u godit nga uji me presion i autobotit të policisë, duke pësuar skuqje në sipërfaqe të konsiderueshme të trupit dhe djegie të forta.

Në reagimin e publikuar më 24 tetor, UGSH ka kërkuar që të hetohet edhe lënda e përdorur nga autobotët e policisë, për të përcaktuar nëse përmbante substanca që mund të kenë shkaktuar dëmtimet e raportuara.

Reagim i ditës i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Goditjet dhe djegiet mbi trupin e gazetarit Klevin Muka janë akt i dënueshëm, fatkeqësisht me autorësi policore. Të hetohet dhe përcaktohet lënda e përdorur nga autobotët e policisë

Tiranë më 24.10.2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë po ndjek me shqetësim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie situatën e krijuar dhe momentet e pazakonta të kësaj dite në Tiranë.

UGSH denoncon me forcë goditjen dhe djegien në trup, me mjete ujëhedhëse ndaj gazetarit Klevin Muka, Koordinator me organizatat simotra ndërkombëtare të organizatës sonë, njëherësh reporter dhe moderator i News 24. Po kështu edhe goditjen në këmbë të gazetarit Freard Rista, i cili ka pësuar lëndim.

Kolegu Muka sqaroi për UGSH, se uji me presion me të cilin u godit, i shkaktoi skuqje në sipërfaqe të konsiderueshme të trupit dhe lëndim e djegie të fortë.

Imazhet e publikuara në mediume dhe rrjete nga dëmtimet fizike të kolegut janë akt i dënueshëm, janë brutalitet që ka për autorë persona të policisë së shtetit.

UGSH gjatë gjithë këtyre ditëve ka tërhequr vëmendjen për episode dhe incidente të ndodhura me gazetarë dhe punonjës mediash nga ana e individëve të policisë së shtetit.

Goditja dhe djegiet mbi trupin e gazetarit Klevin Muka janë episodi tjetër që pason një cikël aktesh dhe dhunimesh policore ndaj gazetarëve, për shkak të detyrës që ata kryejnë.

Në mënyrë urgjente, Ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese duhet të marrin vendime ndëshkuese ndaj autorëve.

Organet e prokurorisë sot, duhet të nisin hetimin dhe të ndëshkojnë këta dhunues të gazetarëve që po rikthejnë histori të harruara në thellësitë kohore të teanzicionit të hershëm, mes policisë dhe gazetarëve në Shqipërinë e këtyre ditëve.

Liria dhe e drejta për të raportuar dhe informuar është e shenjtë dhe e mbrojtur me Kushtetutë, nuk mund të pengohet apo të ndikohet prej askujt! Aq më tepër prej policisë së shtetit!

UGSH kërkon reagimin e menjëhershëm për ndëshkimin e autorëve të goditjes ndaj gazetarit Muka.

Në të njëjtën kohë, konstatojmë me shqetësim të madh se deri tani, ( Ora 16.50) dhjetra kolegë dhe punonjës mediash janë në një situatë të pazakontë dhe alarmante për shkak të gjendjes mes tymit lotsjellës dhe mjeteve të tjera të pérdorura nga forcat policore dhe që shkaktojnë ndikim mbi organizmin e çdo qytetari në protestë, pérfshi edhe gazetarët.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë