Momenti kur dy aeroplanë ushtarakë përplasen në ajër gjatë stërvitjeve në Filipine

Një tragjedi ka ndodhur në Filipine, ku dy avionë ushtarakë stërvitorë u përplasën në ajër gjatë një fluturimi stërvitor, duke shkaktuar vdekjen e katër pilotëve, njoftuan Forcat Ajrore të vendit.
Aksidenti ndodhi pasditen e së premtes, në bazën ajrore Fernando, në qytetin Lipa, në provincën Batangas, në jug të kryeqytetit Manila.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet ushtarake, në stërvitje morën pjesë dy avionë me një motor dhe helikë, të tipit SF-260, të cilët u përplasën teksa fluturonin në lartësi të ulët.
Të dy avionët përfunduan në tokë brenda perimetrit të instalimit ushtarak.
Të katër pilotët që ndodheshin në dy avionët humbën jetën. Pavarësisht përmasave të aksidentit, nuk pati persona të tjerë të lënduar apo viktima në tokë.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Filipineve, koloneli Alvin Jay Capingian, konfirmoi incidentin, duke bërë të ditur se shërbimet e emergjencës u vunë menjëherë në lëvizje pas rrëzimit.
“Të dy avionët u rrëzuan brenda perimetrit të bazës, pa u raportuar viktima të tjera”, thuhej në deklaratën e tij.
Autoritetet ushtarake konfirmuan se katër pilotët humbën jetën, por fillimisht nuk publikuan identitetet e tyre, duke kërkuar respektimin e privatësisë së familjeve.
Në një deklaratë, Forcat Ajrore shprehën dhimbjen për humbjen e katër pjesëtarëve të tyre, duke nderuar kontributin e tyre dhe duke garantuar se familjarëve do t’u ofrohet mbështetja e nevojshme. /Telegrafi/







































