Në Rrethin Liberal të Dardhës, ku po diskutohet për implikimet e gjeopolitikës së re në hapësirën shqiptare, drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, tërhoqi vëmendjen për dimensionin hibrid të konfliktit gjeopolitik, duke e konsideruar kuptimin e tij si premisë të parë për përcaktimin e saktë të interesave aktuale shqiptare në Ballkan.
Gjatë sesionit “Gjeopolitika e re dhe ekonomia globale”, në kuadër të këtij takimi në Korçë, Fetoshi theksoi se lufta sot shtrihet përtej përplasjes ushtarake.
“Sot lufta është më shumë se përplasje ushtarake, prandaj duhet ta kuptojmë se jemi në luftë. Nëse s’nisemi nga kjo premisë, nuk i definojmë dot interesat aktuale shqiptare në Ballkan”, tha ai.
Përtej asaj që ai e cilësoi si vështirësi të demokracisë, të cilën ia faturoi shkëputjes së pushtetit nga pritjet dhe nevojat reale të qytetarëve, Fetoshi tërhoqi vëmendjen se rreziqet më kërcënuese sot janë të sigurisë, përkatësisht operacione hibride që synojnë destabilizimin dhe dobësimin e besimit në orientimin dhe përkatësinë euroatlantike të shqiptarëve.
Në këtë kontekst, Fetoshi kërkoi një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë civile, akademisë, bizneseve dhe politikës për ndërtimin e një përgjigjeje të përbashkët ndaj këtyre sfidave.
Rrethi Liberal i Dardhës ka mbledhur studiues, figura publike dhe sipërmarrës shqiptarë nga vendet e Ballkanit për të diskutuar sfidat e rendit liberal në kontekstin e ndryshimeve gjeopolitike.