Përmbytjet në verilindje të Argjentinës kanë shkaktuar dy viktima dhe kanë detyruar më shumë se 2 mijë persona të largohen nga banesat e tyre. Rritja e nivelit të lumenjve vijon të kërcënojë komunitetet në rajon, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet gjatë javës së ardhshme.
Sipas gazetës argjentinase Página 12, reshjet e dendura kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve Parana, Uruguai dhe Iguazu, duke prekur zona pranë kufijve të vendit me Brazilin, Paraguain dhe Uruguain.
Në provincën Chaco, kryesisht në qytetet Puerto Vilelas dhe Barranqueras, nga 1,200 deri në 1,300 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Shifrën e bëri të ditur të premten zëvendëssekretari provincial i Mbrojtjes Civile, Gustavo Santos, i cili paralajmëroi se luhatjet e nivelit të lumit mund të vazhdojnë për muaj të tërë.
“Kjo do të vazhdojë për disa muaj. Lumi do të vazhdojë të rritet dhe të bjerë vazhdimisht”, deklaroi Santos.
Ndërkohë, në provincën fqinje Corrientes, më shumë se 1,000 persona kishin braktisur banesat e tyre, sipas një raporti të Mbrojtjes Civile të publikuar të mërkurën.
Ujërat kanë përmbytur disa lagje në Paso de la Patria, një qytet në verilindje të vendit pranë lumit Parana, pasi një digë mbrojtëse u shemb për shkak të presionit të ujërave në rritje.
Dy punëtorë ruralë humbën jetën nga mbytja në provincën Corrientes, teksa po transportonin bagëtinë nga një ishull në tjetrin, në përpjekje për t’i shpëtuar nga përmbytjet.
Autoritetet kanë paralajmëruar se reshjet e parashikuara në pjesët e sipërme të pellgjeve të lumenjve Parana dhe Uruguai mund të sjellin një rritje të mëtejshme të nivelit të ujërave gjatë javës së ardhshme.


