Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka dënuar dëmtimin e godinave publike gjatë protestës së sotme në Tiranë, mes tyre edhe të monumenteve të kulturës të kategorive I dhe II. Ai theksoi se asnjë pakënaqësi nuk mund të justifikojë dhunën dhe shkatërrimin e pasurisë së përbashkët.
Gonxhja publikoi në rrjetet sociale pamje të dëmeve të shkaktuara, ku shihen xhama të thyer, dyer të shkatërruara dhe fasada të dëmtuara nga flakët.
“Si Ministër përgjegjës për Kulturën, e dënoj pa asnjë rezervë këtë dhunë të verbër”, u shpreh ai.
Ministri nënvizoi se protestat janë një e drejtë demokratike, por nuk duhet të shoqërohen me akte dhune dhe shkatërrimi. Sipas tij, godinat publike janë hapësira ku ofrohen shërbime për qytetarët, ndërsa monumentet e kulturës përfaqësojnë vlera historike që duhen ruajtur për brezat e ardhshëm.
“Trashëgimia kulturore është pasuri e të gjithë shqiptarëve, sot e nesër. Asnjë qëllim nuk e justifikon dëmtimin e saj”, përfundoi Gonxhja.


