Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Blendi Himçi, i ka bërë thirrje publike drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, që të angazhojë prokurorët në terren për të hetuar veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës së sotme në kryeqytet.
Në një deklaratë nga Spitali i Traumës, Himçi e përshkroi situatën si një “bilanc lufte”, duke akuzuar policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe duke kërkuar që organi i akuzës të nisë menjëherë hetimet për incidentet e regjistruara.
“Sot jemi përpara një bilanci lufte, përpara vrasjeve të mbetura në tentativë nga Policia e Shtetit, që nuk mund të quhet më Polici e Shtetit”, u shpreh deputeti.
Himçi iu drejtua drejtpërdrejt drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, duke ngritur pikëpyetje mbi reagimin e organit të akuzës përballë ngjarjeve të regjistruara gjatë protestës.
“Unë nuk e di çfarë pret Prokuroria e Tiranës, drejtuesi i Prokurorisë, prokurori Arens Çela, që të nxjerrë prokurorët të hetojnë të gjitha veprimet e paligjshme të policisë”, deklaroi ai.
Deputeti pretendoi se 17 persona ndodheshin në spital me dëmtime në kokë dhe kërkoi që të hetohen rrethanat në të cilat janë lënduar protestuesit.
“Individët që pretendohet se po qëndrojnë të plagosur, por me policë te koka, nuk ka turp më të madh”, u shpreh Himçi, duke kritikuar edhe praninë e efektivëve të policisë pranë të plagosurve.
Nga Spitali i Traumës, ai i bëri thirrje Arens Çelës të marrë përgjegjësitë dhe të urdhërojë veprime konkrete hetimore.
“Arens Çela, merr përgjegjësitë e tua, nxirr prokurorët në terren dhe të hetojnë policinë”, tha deputeti.
Në përfundim, Himçi paralajmëroi se mosveprimi i Prokurorisë do të përbënte, sipas tij, përgjegjësi institucionale.
“Nëse nuk ka një efektiv të arrestuar, do të jeni pjesë e veprimeve të paligjshme dhe po ju përdor Edi Rama si shkop në duart e tij, nëse nuk veproni”, deklaroi ai.













